Dëmet e pandemisë në Rahovec, Latifi: Për dhjetë muaj kemi humbur 56 milionë euro

Vetëm në 10 mujorin e parë të pandemisë, në komunën e Rahovecit janë evidentuar humbje në vlerë prej rreth 56 milionë euro. Kryetari i komunës, Smajl Latifi, shprehet i pakënaqur me ndihmën që shteti u ka ofruar bizneseve, veçmas gastronomisë.

Kritika ka adresuar edhe për ndihmën e paktë që sipas tij, qeveria iu ka dhënë institucioneve të sigurisë dhe atyre shëndetësore.

Ndonëse thotë se në komunën që e udhëheq po respektohen kënaqshëm masat anti-COVID, Latifi tregon se nuk pajtohet me disa nga to. Thotë se do të kishte hequr logjikën ndëshkuese ndaj qytetarëve.

Latifi në një intervistë për KosovaPress thotë se vetëm në periudhën e parë të pandemisë, mars – dhjetor 2020, komuna e Rahovecit ka shënuar humbje në vlerë prej rreth 56 milionë euro.

“Në qoftë se ne e marrim numrin 2020, prej kur ka filluar pandemia në mars, e deri më 31 dhjetor, diku humbjet janë shumë të mëdha, rreth 56 milionë euro. Në kuadër të kësaj, edhe gastronomia ka pësuar një goditje të rëndë, humbje bukur të mëdha, ndërkohë që shteti jonë nuk po ka mundësi më iu përgjigj për t’i mbuluar këto humbje, qofshin humbje në qarkullim, qofshin humbje ekonomike apo humbje të vendeve të punës sidomos në sektorin privat… 4:43 Kemi shqetësime se pse nuk po iu ndihmon qeveria më shumë institucioneve të sigurisë ose institucioneve, të cilat ballafaqohen me situata të cilat nuk janë pa rrezik sepse e kërcënojnë edhe jetën e tyre, si të zjarrfikësit, si të mjekëve, të infermierëve sepse janë në vijën e parë të frontit dhe duhet të mbështeten shumë më shumë nga qeveria”, thotë ai.

Latifi thotë se interesimi për të marrë vaksinën anti-COVID është rritur edhe në komunën e Rahovecit, ku deri më tash mbi 38 mijë qytetarë të kësaj komune janë vaksinuar. Teksa thotë se kanë kërkuar që të hapen edhe qendra të tjera të vaksinimit.


Ai tregon se përgjatë rrugës përballen edhe me probleme teknike, e që janë rënia e rrjetit dhe problemet me printerët special që ua siguron Ministria e Shëndetësisë.

“Interesimi është shumë i madh për vaksinimin dhe paramendoni nëse QKMF në Rahovec mesatarisht duhet t’i ketë rreth 400 të vaksinuar brenda orarit të punës ne shkojmë deri në 750-800. Ne kemi një staf jashtëzakonisht funksional, që shumë punon dhe që është duke bartur mbi supe një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe jetik për shëndetin publik. Deri më tani ne kemi dhënë rreth 38 mijë doza të vaksinës, dozën e parë dhe të dytë, dhe që është një numër bukur i madh i qytetarëve të komunës së Rahovecit që kanë marr dozën e parë por edhe të dytë të vaksinës”, bën të ditur ai.

Ai tregon për KosovaPress se vetëm brenda 3 javësh afër 500 qytetarë të Rahovecit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Derisa thotë se ka edhe raste të vdekjeve, Latifi apelon Ministrinë e Shëndetësisë që të ofrojë informacione zyrtare për përmasën e infeksionit dhe të dhëna të sakta për numrin e të vdekurve nga COVID-19.

“Aktualisht janë diku rreth 440 të infektua me COVID. Ne kemi qenë komuna e parë që kemi pasur zero raste pozitive, mirëpo tash në tre javët e fundit kemi një ngritje. Paramendojeni, për tre javë mbi 400 është numri i të infektuarve me COVID. Kemi edhe raste të shëruara por kemi fatkeqësisht edhe raste me fatalitet sepse me gjasë, varianti delta nuk po zgjedh grupmosha. Por, edhe kemi raste të vdekjeve në komunën tonë por që fatkeqësisht nuk janë të evidentuar në listat e IKSHPK-së e as spitaleve rajonale sepse kemi raste që si pasojë e COVID-it vdesin në shtëpi. Ne kemi kërkuar nga MSh që të kemi informata zyrtare për përmasën e infeksionit, numrin e të infektuarve. Sepse dikur ishte ndryshe, mirëpo tash nuk e kemi”, thotë Latifi.

I pari i Rahovecit, njëherësh anëtar i kryesisë së AAK-së, shprehet i pakënaqur me masat anti-COVID të ndërmarra nga qeveria Kurti, duke thënë se nuk do të duhej të vendosej ora policore dhe logjika ndëshkuese për qytetarët.

“Nëse do isha pyetur unë e kisha heq orën policore dhe kisha tërhequr vëmendjen tek këta inspektorët e AVUK-ut dhe tek Policia e Kosovës që Qeveria duhet parë modalitete të tjera, të merr shembuj të tjerë që mos të shkoj me logjikën e  dënimeve dhe gjobave dhe duhet të ketë një mekanizëm të ndërgjegjësimit, vetëdijesimit dhe tërheqjes së vëmendjes dhe tërheqjes së vërejtjes dhe të sqarohet  më shumë se sa është e rëndësishme të respektohen masat edhe të kemi prani të policëve dhe inspektorëve, por mos ta  kemi qëllim gjobën, ndëshkimin sepse edhe ashtu qytetarët janë të lodhur nga shumë aspekte, ballafaqohen me shumë probleme shto tash edhe pandeminë dhe shto edhe mungesën e buxhetit nga komuna mos të flasim por edhe shtetëror për t’i dal në ndihmë”, thotë ai.

Lexo edhe

Video