Deliu-Kodra: PDK i ka nënshkrimet për ta dërguar në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se i kanë të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Deliu-Kodra në seancën e sotme plenare, duke komentuar vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, tha se PDK këtë vendim e konsideron si tendencë për një qeverisje autoritare, e cila provon që të vë kontroll në të gjitha institucionet kyçe.


“Shkarkimi është politik dhe godet rënd demokracinë, si dhe cenon institucionet e pavarura, kushtetuese në vend….presidentja Vjosa Osmani me këtë vendim ka shkelur Kushtetutën, duke zbatuar urdhrin politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për ta kapur edhe një institucion të pavarur, kushtetues të Kosovës, siç është KQZ. Dua të kujtoj se zonja Daka si grua në krye të një institucioni të rëndësishëm, si garancë për demokracinë është sulmuar në mënyrën më vulgare nga dy eksponent të VV në KQZ. Nga jashtë është intimiduar nga krerë e zyrtarë të VV-së dhe gjithandej Kosovës është kërcënuar personalisht, është kërcënuar familjarisht nga aktivistë të VV-së”, tha ajo.

Sipas saj, vendimi për shkarkimin e Dakës, rrezikon edhe mbarëvajtjen e rregullta të zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë.

“PDK i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e zonjës Daka ta qoj në Gjykatën Kushtetuese. PDK fton të gjitha grupet parlamentare që t’i bashkohen kësaj iniciative për ta ruajtur Kushtetutën e vendit  “, tha ajo.

Lexo edhe

Video