Deklaratat e Daçiqit vlerësohen të turpshme, Ibishi: Janë thirrje për fabrikime masive

Deklaratat e fundit të Serbisë për luftë në rast se nuk do të ketë zgjidhje përmes dialogut me Kosovën, si dhe kërcënimet ndaj qytetarëve serbë që po tregojnë për varret masive të shqiptarëve kanë nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Në mesin atyre që kanë reaguar janë edhe përfaqësues të institucioneve si dhe figura politike.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të reagojnë ndaj provokimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Ai vlerëson se deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se nëse nuk do të ketë zgjidhje përmes procesit të dialogut me Kosovën, atëherë mund të vijë deri te shpërthimi i një konflikti të ngjashëm Nagorno-Karabag, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit. Qeveria e Kosovës pret nga BE dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve”, ka thënë Hoti në reagimin e tij.

Në anën tjetër, është  kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiq që ka kërcënuar serbët që tregojnë për varrezat masive të shqiptarëve në Serbi, si dhe ka bërë thirrje për dëshmi kundër UÇK-së.

Krejt kjo për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, është thirrje për fabrikime masive, pasi fshihet e vërteta.

“Unë po e lexoj si thirrje për fabrikime masive. Po i njëjti, në një intervistë në një medium serb thoshte me cinizëm e pështirje: ‘çfarë të bëj që ka serbë që tregojnë për varrezat masive (me viktima shqiptare)? Çka të bëjmë me këta njerëz?’ Iviça Daçiq, si pasardhës i Millosheviqit, qysh në kohën e luftërave gjenocidiale të Millosheviqt ka qenë një prej përkrahësve të fshehjes së krimeve të bëra, masakrave në Kosovë, dihet bartja e kufomave në Peruqas, në Timoshkakalinë dhe në Batajnicë”, thotë Ibishi.


E zhvillimet e fundit në vend nga Gjykata Speciale, gjegjësisht arrestimi i presidentit Hashim Thaçi, i ish-kryetarëve të Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, Nuredin Ibishi thotë se janë vetëm në favor të Serbisë.

Ai thotë se nuk është për t’u çuditur fakti se Serbia ka përgatitur vet materiale për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, pasi Prokuroria Speciale në Serbi por edhe ministri serb i Drejtësisë e kanë bërë të ditur një gjë të tillë.

“Është e turpshme që agresori që ka bërë krime në Kosovë paraqitet me dëshmi të fabrikuara, apo të rrejshme në dhomat e Prokurorisë, në të cilat vet mbrojtësi i Thaçit, i Veselit, i Jakup Krasniqit dhe i Rexhep Selimit u deklaruan se dëshmitë e kamufluara nuk mund të merren parasysh, sepse ato janë të fabrikuara pasi ata (serbët) kanë qenë agresorë në Kosovë”, thotë ai.

Ai thotë se edhe mënyra sesi u dërguan në Hagë ish-udhëheqësit e UÇK-së është e papranueshme, pasi këta të fundit gjithmonë u janë përgjigjur ftesave të tilla pavarësisht cilësisë që janë ftuar.

“Disa vendime të Gjykatës Speciale kanë qenë të panevojshme për arsye se pjesëtarët e UÇK-së, edhe në ftesat e mëhershme, jemi përgjigjur çdo herë, në çfarëdo cilësie që jemi ftuar. Është e papranueshme që ashtu të veprohet në këto raste dhe unë supozoj që ka mungesë të provave dhe tash përmes bastisjeve mundohen që të gjejnë prova eventuale për këtë proces”, shprehet ai.

Kujtojmë se Ivica Daçiqi,  kryeparlamentar i Serbisë, ka kërcënuar serbët që po tregojnë se ku gjenden varret e shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë luftës, njëjtë ka vepruar edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, me deklaratat e tij se nëse nuk do të ketë zgjidhje përmes procesit të dialogut me Kosovën, atëherë mund të vijë deri te shpërthimi i një konflikti të ngjashëm Nagorno-Karabag.

Kujtojmë, se të dy këta funksionarë të lartë të shtetit serb, kanë shërbyer edhe nën urdhrat e të ashtuquajturit “Kasap i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, regjimi i të cilit mbahet fjatore për vrasjet dhe krimet makabre ndaj shqiptarëve në vendin tonë para dhe gjatë luftës së fundit.

Lexo edhe

Video