Dëgjimi i dëshmitarit të dytë vazhdon edhe nesër në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Dëshmitari i dytë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të vazhdojë të dëgjohet edhe nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë. Halil Berisha, i cili kishte punuar gazetar deri në shtator të vitit 2020, u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë rreth dokumenteve të cilat i kishin marrë nga drejtuesit e OVL-UÇK në konferencat për shtyp të mbajtura në shtator të vitit të kaluar.

Berisha ka thënë se ishte i pranishëm vetëm në konferencën e parë në OVL-UÇK ku u prezantuan dokumentet të cilat pretendohej se kishin rrjedhur nga Specialja.

“Kanë ardhur personat që e kanë mbajtur konferencën për media dhe kanë filluar konferencën. Siç shihet në video që është edhe online, kanë folur zotëri Nasim Haradinaj dhe zotëri Hysni Gucati. Folën për dokumentet të cilat i ka sjellur në zyrën e OVL-së një person i panjohur”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Prokurori ka prezantuar video të konferencës së 7 shtatorit të vitit 2020, në të cilën kishte marrë pjesë gazetari, pamje të cilat nuk u bënë publike dhe seanca vijoi e mbyllur.

Tutje, dëshmitarit i është kërkuar të identifikojë personat në video, për të cilët ai ka thënë se ishin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

“Po kërkonin disa dokumente të cilat thuhet se dëshmojnë bashkëpunimin që e ka pasur Task Forca Speciale e Hetimit me prokurorë dhe me njerëz të institucioneve të Serbisë”, ka dhënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se pas përfundimit të konferencës, mediat janë afruar t’i shohin dokumentet e prezantuara nga ish-krerët e OVL-UÇK, t’i fotografojë dhe xhirojnë ato.

“Numri i dokumenteve ishte goxha i madh dhe nuk kish mundësi, nuk e dinim saktë çka mundet e pas aty, nuk kish pas mundësi me i xhiru krejt, kështu që kam kërkuar një pjesë të dokumenteve”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari ka thënë se e ka pyetur Nasim Haradinajn, i cili sipas tij, edhe i ka dhënë leje të marrë një pjesë të dokumenteve.

Ai ka shtuar se nga Haradinaj i është thënë që nëse i kërkohet nga kolegët e tjerë t’u japë dokumentet ai mund ta bëjë.

“Më është thënë që përderisa ka shumë dokumente, numri i kopjeve që janë aty është i vogël dhe nuk ka për të gjitha mediat. Kështu që nëse mundet me i kërkua një media tjetër, për shkak që mos me i pas veç unë, nëse është e mundshme me bashkëpunu edhe me media të tjera”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari ka thënë se renditja e dokumenteve ka qenë e çrregullt, çka sipas tij, ka bërë që mos të kuptojë me saktësi se çka përmbajnë ato.

“Dokumentet janë konfidenciale ose jo se nuk kam ndonjë mjet me vlerësua këtë punë, megjithatë në disa prej faqeve, në disa prej dokumenteve ka qenë shkrimi që tregon se janë të klasifikuara konfidenciale”, ka thënë dëshmitari.


Dëshmitari ka thënë se dokumentet pastaj i kanë shpërndarë në zyrën e redaksisë ku kishte punuar, Gazeta Infokus, dhe i kanë shikuar se çka përmbajnë.

Ai ka shtuar i kanë drejtuar pyetje ZPS-së lidhur me dokumentet në fjalë.

“Porsa i kemi marrë dokumentet i kemi shkruar edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar një e-mail për me pyet për këto dokumente, por që përgjigja ka qenë në fakt pa përgjigje, kanë thënë që nuk mundemi me i komentu këto gjëra. Në atë rast duke dyshuar që këto dokumente, edhe për autenticitetin e tyre edhe për konfidencialitetin, kemi vendosë që me i ruajt këto dokumente mos u marrë shumë me to, derisa të qartësohet pak më shumë”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari Berisha ka thënë se dokumentet i kanë vendos në një hapësirë të sigurt në redaksi duke shtuar se i janë drejtuar dy herë me pyetje ZPS-së për ta njoftuar për dokumentet që posedojnë.

“Këtë email e kemi dërguar për arsye se përgjigja e parë e ZPS-së, në fakt nuk e di a mundemi me quajt përgjigje sepse nuk na kanë dhënë asnjë informatë veçse kanë thënë se nuk mundemi me fol për këtë temë, edhe siç e ceka më herët kemi nuk kemi qenë të sigurt së pari për autenticitetin e dokumenteve pastaj edhe për konfidencialitetin e tyre dhe kemi dëshiruar me shku në mënyrë të sigurt dhe e kemi njoftuar ZPS-në”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, ai ka thënë se hetues të ZPS-së kanë shkuar në redaksinë ku ai punonte dhe i kanë marrë dokumentet në fjalë, më 9 shtator të vitit 2020.

“Fillimisht më ka thirrur dikush prej zyrës së Prokurorit të Specializuar, një numër që ka qenë prej Holandës dhe më ka pyetur nëse munden dy hetues me ardh dhe me i marr dokumentet, unë kam pranuar që ata me ardhur, pastaj ata më kanë thirr në telefon, e kemi lënë takimin sepse ata nuk e kanë ditur ku është zyra, kanë ardhur në zyrë, kanë qëndruar rreth një orë, para se ata me i pa dokumentet, ua kemi kërkuar një kartelë identifikimi me e ditë nëse janë ata persona që janë prezantuar, na kanë prezantuar kartelat e identifikimit që kanë qenë prej Zyrës së Prokurorit të Specializuar, na kanë kërkuar së pari me i pa dokumentet, i kemi marrë dokumentet prej atij vendit ku i kemi vendos, i kanë parë dokumentet dhe na kanë kërkuar më i marrë dokumentet, pastaj i kanë marrë dokumentet dhe kanë shkuar”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Ai ka thënë se në gazetë kanë shkruar për dokumentet në fjalë vetëm gjatë periudhës sa i kanë poseduar ato, duke shtuar se nuk kanë marrë pjesë në asnjë konferencë tjetër të OVL-UÇK.

Berisha, i cili ishte gazetar ka pushuar së ushtruari këtë profesion në shtator të vitit 2020 pasi ka shkuar për studime në Gjermani.

Në fillim të seancës ai ka thënë se ka punuar gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus dhe ka deklaruar se nuk ndjehet i lumtur që po dëshmon në këtë gjykim, por sipas tij ka qenë i detyruar për të bëjë një gjë të tillë.

Dëshminë e tij ai do ta vazhdojë nesër para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Para dëshmitarit Berisha, trupi gjykues për gjashtë ditë me radhë ka dëgjuar dëshmitaren Zdenka Pumper, hetuese në ZPS.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: