Debutimi me Chelsea, Tuchel përditëson lëndimin e Aubameyang

Debutimi me Chelsea, Tuchel përditëson lëndimin e Aubameyang

Chelsea dhe Barcelona e kanë konfirmuar se kanë arritur marrëveshje për transferimin e Pierre-Emerick Aubameyang në çastet e fundit të merkatos verore.

Aubameyang rikthehet në Premier Ligë pas tetë muajve me Barcelonën, tek e cila u transferua si lojtar i lirë pasi që e shkëputi kontratën e tij me Arsenalin, përcjell KosovaPress.

Reprezentuesi gabonez ribashkohet me ish-trajnerin e tij te Dortmundi, Thomas Tuchel, ndërsa ky i fundit në konferencën për media foli për transferimin e Aubameyang dhe shkallën e lëndimit të tij.

Tuchel tha se Aubameyang është tejet i lumtur që është rikthyer në kampionatin anglez, dhe se ai është një lojtar i cili di si të shënoj gola.


“Ju e dini se çfarë vjen me Aubameyangun dhe ai ishte tejet i lumtur që po rikthehej në Premier Ligë. Ai di si të shënoj gola”, tha Tuchel.

Ndërkaq, para se të siguroj transferimin te Chelsea, Aubameyang kishte qenë pjesë e një incidenti, ku disa grabitës kishin hyrë në shtëpinë e tij, duke e mbajtur të lidhur për disa orë dhe duke e rrahur, gjë që rezultoi që sulmuesi të pësojë frakturë në nofull.

Tuchel tani ka përditësuar gjendjen e Aubameyang, duke thënë se atij do t’i duhet të pres për ta bërë debutimin e tij te Chelsea.

“Momentalisht, ai nuk mund të stërvitet. Neve na duhet që t’i japim atij një maskë për ta mbrojtur nofullën e tij, dhe pastaj do të na duhet të provojmë stërvitjen me maskë nga java e ardhshme”, tha Tuchel.

Meritorët në sigurimin e transferimit të Aubameyang te Chelsea ishin Todd Boehly dhe Behdad Eghbali, të cilët arritën ta mbyllin marrëveshjen për 12 milionë euro, dhe jo 25 milionë euro sa kërkonte Barcelona.

Lexo edhe

Video