Debati për “Sunny Hill”, radha e Ramës për sqarime

Debati për “Sunny Hill”, radha e Ramës për sqarime

Zhvendosja e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë ka ngjallur një debat të madh në Prishtinë. Çështja e shfrytëzimit të një prone të komunës së Prishtinës duket se u bë mollë sherri. Komuna e Prishtinës ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për neglizhencë por kjo e fundit ka hedhur akuza se Komuna nuk ka dorëzuar dokumente dhe informacione shtesë në kohë.

Për të sqaruar më tej këtë çështje, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar një konferencë për media që është planifikuar të mbahet sot në ora 11:30 në objektin e vjetër të Komunës.

“Komuna e Prishtinës, ju fton në një konference për media, me ç’rast kryetari Rama do t’ju informojë më shumë rreth zhvendosjes së edicionit të sivjetshëm të Festivalit ‘Sunny Hill’ në Tiranë”, u tha në njoftimin e shkurtër të Komunës së Prishtinës drejtuar gazetarëve.


Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, deklaroi për KosovaPress se nuk janë ndërprerë kontaktet me organizatorët e festivalit “Sunny Hill” dhe se janë të gatshëm që të diskutohet edhe më tej shfrytëzimi i tokës ku është paraparë mbajtja e festivalit nga 4 deri më 7 gusht.

“Unë kam thënë që në parim çështja e ndarjes së tokës për një periudhë kaq të gjatë, nuk duhet të bëhet në ngut ose të ndonjë lloj presioni vendimmarrje të bazuar, që në fund të matim dhe ta vlerësojmë në mënyrën e duhur interesin publik dhe aty ku ka interesa private në raste të caktuara. Ne kemi qenë në komunikim me organizatorët e festivalit të “Sunny Hill” dhe si MKRS ju kemi ofruar që të shërbejmë si pikë referente për të gjithë ministritë që ata kanë punë”, ka thënë Çeku.

Çeku u shpreh i zhgënjyer që festivali “Sunny Hill” dhe emri i këngëtares Dua Lipa kanë marrë dimension të panevojshëm politik.

“Kontaktet nuk janë ndërprerë asnjëherë, ne jemi në komunikim dhe gjithsesi po vazhdojmë t’iu tregojmë që qëndrojmë pas gjitha zotimeve që i kemi ofruar nga fillimi. Unë besoj që një organizim i kësaj natyre është më i madh se të gjithë ne, sepse është për vendin tonë, për promovimin ndërkombëtar të vendit tonë. Nuk besoj që duhet të reduktohet në çështje të vogla ose të bëhet çështje e debateve politike. Jam thellësisht i zhgënjyer që po merr edhe një dimension politik të panevojshëm”, tha Çeku.

Lexo edhe

Video