Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu thotë se hapja e urës mbi lumin Ibër duhet të bëhet në koordinim me faktorët ndërkombëtarë. Ky veprim, sipas tij, reflekton në aspektin e sigurisë dhe si i tillë duhet të vlerësohet me kujdes.
De Riu në një intervistë për KosovaPress, potencon se Italia nuk është kundër hapjes së urës, porse shton se kjo duhet të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian, vendet e QUINT-it dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.
Përveç këtyre, De Riu thotë se është vërejtur një trend në rritje i shkëmbimeve tregtare, duke ngritur eksportet italiane në Kosovë dhe ato kosovare në Itali.
Sipas tij, momentalisht nuk ka ndonjë rrezik të madh të përshkallëzimit të situatës në Kosovë, ngase sipas tij, ushtarët e KFOR-it, po i monitorojnë kufijtë e vendit duke garantuar stabilitet dhe siguri.
Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu thotë se të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se është rritur numri i eksporteve italiane në Kosovë dhe anasjelltas.
Ai shton se po punohet në rritjen e ndërveprimit mes biznesmenëve kosovarë dhe atyre italianë.