Departamenti amerikan i Shtetit, publikoi raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku thuhet se gjatë vitit 2022 Kosova dhe Shqipëria shfaqën dobësi në sistemin e drejtësisë dhe trajtimin e të kthyerve nga luftërat në Lindjen e Mesme.
Në kapitullin për Kosovën thuhet se vendi vazhdoi përpjekjet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar dhe është duke hartuar një Strategji Kombëtare dhe Plan Veprimi për periudhën 2023-2028.
“Deri më tani Kosova ka riatdhesuar më shumë se 120 shtetas të saj. Rreth 80 shtetas mbetën në kampet apo qendrat e paraburgimit, ose llogariten të zhdukur në fushat e betejës në Siri. Dënimet e shkurtra për vepra të lidhura me terrorizmin në Kosovë vazhduan”, thuhet në raport.
Departamenti i Shtetit tërheq vëmendjen se qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, janë objektiva të mundshëm për rekrutim nga organizatat ekstremiste të dhunshme me orientim politik etno-nacionalist apo fetar.
Gjatë gjithë vitit 2022, thuhet në raport, Kosova ndoqi penalisht shtatë burra dhe një grua të riatdhesuar. “Ndërsa gruaja u dënua me dy vjet heqje lirie me kusht për bashkim me organizatën ISIS, gjykatat e Kosovës i dënuan lulëtarët e riatdhesuar me nga tre deri në katër vjet e gjysmë heqje lirie për organizim dhe pjesëmarrje në veprimtaritë terroriste të ISIS-it”.
Raporti përmend më tej lirimin në muajin qershor në mungesë provash të katër personave, dy nga të cilët të akuzuar për përgatitjen e sulmeve terroriste në klubet e natës dhe kishat, dhe kundër KFOR-it, dhe dy të tjerët për mos raportim të veprës penale. Aty përmendet edhe ngritja e akuzës ndaj të akuzuarit për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Ylber Bela, i cili ishte riatdhesuar në muajin maj.
Përgjatë vitit 2022, 11 persona të dënuar për vepra të lidhura me terrorizmin u liruan nga burgu. Katër përfunduan dënimet, dy u liruan me kusht dhe pesë të tjerë përfituan nga lirimi i parakohshëm, theksohet në raport.
Departamenti i Shtetit tha se ka mbështetur Policinë e Kosovës dhe ka ofruar ofruan trajnime dhe këshilla për prokurorët e gjyqtarët e Kosovës si dhe përgatitjen e institucioneve të sigurisë për të kuptuar më mirë përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm në burgje.
Por raporti thekson se Kosovës aktualisht i mungon një strategji e plotë e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm për të trajtuar kërcënimet e reja të lidhura me terrorizmin. Ndërsa përballet me shumë të kthyer, ajo vepron me një strategji dhe plan veprimi të vjetruar. Një grup ndërministror së bashku me organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile po zhvillojnë një strategji që pritet të miratohet nga qeveria e Kosovës në vitin 2023. Sfidat përfshijnë mungesën e bashkërendimit ndërmjet institucioneve.
DASH-i thekson ndërkaq se çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhduan të kufizojnë aftësinë e qeverisë për të shtrirë autoritetin e saj në atë rajon. Forcat e udhëhequra nga NATO-ja dhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Në muajin prill, qeveria e Kosovës i denoncoi sulmet e armatosura kundër policëve në veri të Kosovës si akte terrorizmi. Prokurorët i cilësuan incidente i klasifikuan si vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues.
Në dhjetor, policia arrestoi ish oficerin e saj Dejan Pantiç, për vepra të lidhura me terrorizmin pas një sulmi në ndërtesën e Komisionit të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.
“Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri lidhet me përpjekjet e organizatave të huaja terroriste për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë për veprime të dhunshme”, theksohet në raport, në të cilin theksohet se nuk pati incidente terroriste të raportuara gjatë vitit 2022 në Shqipëri.
Në Shqipëri është i paligjshëm anëtarësimi në një organizatë terroriste, ofrimi dhe pjesëmarrja në trajnime lidhur me terrorizmin, ofrimi i mbështetjes materiale, përfshirë financimin për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrja në një ushtri të huaj. Raporti thekson se Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit ka punuar ngushtë me agjencitë amerikane.
Më 28 maj, thuhet në raport, Shqipëria riatdhesoi me sukses 13 shtetas nga kampet në Siri, që ishte riatdhesimi i dytë në një periudhë 12-muajshe gjatë së cilës janë kthyer në vend 38 gra dhe fëmijë.
“Korrupsioni dhe pengesat për shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencive qeveritare, bashkërendimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem gjyqësor i dobët, vazhduan të pengojnë përpjekjet për zbatimin e ligjit në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit”, thuhet në raport në të cilin vihet re se ka vazhduar zbatimi i reformave të thella në sektorin e drejtësisë dhe se 75 për qind e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë ishte përmbyllur në fund të vitit.
Ambasada amerikane në Tiranë, thuhet mes tjerash, mbështet përpjekjet e Qendrës Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me një gamë të gjerë programesh ndihme dhe angazhimesh diplomatike, duke përfshirë grupet e komunitetit lokal që identifikojnë dhe zbutin faktorët që nxisin ekstremizmin e dhunshëm.
Departamenti i Shtetit mbikëqyri zbatimin e një granti të gjashtë për Komunitetin Mysliman Shqiptar, i cili përfshinte angazhimin e klerit me të rinjtë, prindërit e tyre dhe udhëheqësit qytetarë, për t'i larguar të rinjtë nga radikalizimi drejt dhunës, si dhe informimin e tyre për parimet demokratike, të drejtat e njeriut, angazhimin qytetar dhe tolerancën. /ZeriiAmerikes