Protestat dhe bllokadat në Serbi, pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024 ku humbën jetën 15 persona, mbështeten nga 61 për qind e qytetarëve, sipas një sondazhi të opinionit publik nga organizata joqeveritare Crta.
Organizata theksoi se hulumtimi ka treguar se çdo i dhjeti qytetar që është më afër partisë në pushtet i mbështet protestat, si dhe një e katërta e atyre që ndjekin vetëm mediat pranë qeverisë.
Qytetarët kanë besimin më të madh te studentët (44 për qind) se do të ngulmojnë në kërkesat e tyre për vendosjen e drejtësisë, të ndjekur nga qytetarët që protestojnë (37 për qind). 28 për qind e të anketuarve kanë besim të tillë te prokuroria dhe 27 për qind te presidenti.
Sondazhi tregoi se gjysma e qytetarëve 51 për qind nuk mendojnë se protestat janë vepër e opozitës, që synojnë marrjen e pushtetit.Sipas mendimit të shumicës së qytetarëve (48 për qind), përgjegjësinë politike për shembjen e tendës duhet ta kenë ministrat përkatës, të ndjekur nga presidenti i Serbisë 39 për qind.
Hulumtimi tregoi se përgjegjësinë penale e kanë, siç besojnë 67 për qind e qytetarëve, kontraktuesit dhe në një masë më të vogël (58 për qind) autoritetet mbikëqyrëse.
Çdo i pesti i anketuar është më i shqetësuar për krimin, dhe pak më pak se një e pesta e popullsisë së rritur (18 për qind) janë të shqetësuar nga protestat aktuale. Kosova përmendet si problem nga 11 për qind e qytetarëve, tregoi sondazhi.