Çmimet e naftës ranë të hënën me shqetësimet për kërkesën më të dobët në Kinë, importuesja më e madhe e naftës në botë, dhe bisedimet e vazhdueshme për armëpushimin në Lindjen e Mesme.
Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent ra 0,4% në 79,34 dollarë për fuçi në orën 10:31 të mëngjesit sipas orës lokale (0731 GMT), nga mbyllja e sesionit të mëparshëm prej 79,68 dollarësh. Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u ul me 0,5% në 75,20 dollarë për fuçi, pasi u mbyll në 75,54 dollarë në seancën e mëparshme.
Të dhënat nga Kina javën e kaluar treguan se çmimet e shtëpive të reja ranë me ritmin më të shpejtë në nëntë vjet, prodhimi industrial u ngadalësua dhe ekonomia humbi vrullin në korrik pasi papunësia u rrit.
Sipas të dhënave, prodhimi industrial ka mbetur nën pritshmëritë me një rritje vjetore prej 5.1% dhe shkalla e papunësisë ka qenë mbi pritjet me 5.2%.
Për muaj të tërë, SHBA, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe armëpushim dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Izrael të dielën në mbrëmje për të avancuar përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.
Ndërsa, bisedimet e armëpushimit në kryeqytetin e Katarit, Doha, përfunduan të premten pa ndonjë përparim, por SHBA-ja paraqiti një propozim të ri që "bazohet në fushat e marrëveshjes" dhe i mbyll boshllëqet e mbetura në një mënyrë që lejon "një zbatim të shpejtë të marrëveshjes"./AA/