Cili është roli i Postës së Serbisë për serbët e Kosovës?
Lexohet për: 9 min.
posttta
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Sërgjan Gjorgjeviq, 46-vjeçar nga Mitrovica e Veriut, beson se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë ishte e paracaktuar mes Kosovës dhe Serbisë dhe shton se nuk është i befasuar nga lëvizja e autoriteteve kosovare.

“Komenti im është se është një marrëveshje mes (Aleksandar) Vuçiqit dhe (Albin) Kurtit se si të dorëzohen institucionet serbe. Kurti vetëm po e zbaton atë për të cilën është rënë dakord”, thotë ai.

Pjesëtarët e komunitetit serb në katër komuna në veri të Kosovës nuk kanë mundur të përdorin shërbimet postare dhe financiare të Postës së Serbisë që nga 5 gushti, për shkak se nëntë degë të kësaj kompanie në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë mbyllur. Arsyetimi i autoriteteve kosovare është se Posta e Serbisë nuk është e licencuar për të bërë biznes në Kosovë.

Disa nga shërbimet financiare që ofron Posta e Serbisë në Kosovë janë pagesa të ndryshme me porosi të institucioneve që punojnë në sistemin serb, dërgimi i parave, pagesa e faturave në sistemin serb, pagesa e sigurimit të veturës e të ngjashme.

Gjithashtu, në sportelet e Postës, qytetarëve u janë paguar edhe disa përfitime nga buxheti i Serbisë, si përfitime sociale, kompensim për fëmijë apo pensione. Pagimi i këtyre përfitimeve ka qenë i vështirë që nga fillimi i vitit për shkak se me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës është hequr nga përdorimi dinari, valuta zyrtare e Serbisë.

Ka edhe shërbime postare që përdoren nga qytetarët apo institucionet, si dërgimi dhe pranimi i letrave, kartolinave, telegrameve e të ngjashme.

Sërgjani shton se jeta e serbëve në veri të Kosovës ka qenë e vështirë në dy vjetët e fundit dhe se shumë nga ta në rrethin e tij po planifikojnë të largohen nga Kosova për shkak të presionit që ndiejnë.

Pjesëtarët e komunitetit serb i shohin si forma presioni përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur pushtetin në veri të Kosovës. Fjala vjen, në fund të vitit 2022, me iniciativën e Listës Serbe, serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të insistimit të Qeverisë së Kosovës që targat serbe të zëvendësohen me ato të Kosovës. Më pas, për shkak të bojkotit të zgjedhjeve, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në krye të komunave dhe autoritetet kosovare hoqën dinarin, filluan mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë dhe konfiskuan prona në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Dragan Iliq nga Mitrovica Veriore tregon se bashkëqytetarët e tij gjithnjë e më shumë vendosin të largohen për shkak të situatës së paqëndrueshme në veri të Kosovës. Ai beson se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nuk çon në paqe, por në destabilizim.

“Është sikur dikush po bën thirrje për atë (destabilizimin). Pikërisht sikur po bën thirrje që këtu të fillojnë trazirat e mira, sepse populli serb nuk do ta tolerojë këtë. Për të qenë i qartë”, tha ai për REL-in.

Për Millosh Petroviqin, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë është shenjë se autoritetet e Kosovës po vazhdojnë t’i “marrin në dorë institucionet”.

Megjithatë, ai beson se do të gjendet mënyra që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të marrin shërbime postare.

“Unë nuk shoh ndonjë problem të madh në këtë. Një problem më i rëndësishëm është se njerëzit nuk mund t’i tërheqin të ardhurat e tyre (në dinarë). Për mua personalisht kjo është vështirësia më e madhe”, thotë ai.

Ish-drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë sqaron se mbyllja e këtyre zyrave do ta vështirësojë komunikimin e pjesëtarëve të komunitetit serb me Serbinë dhe shtetet tjera. Ai vëren se shërbimet e Postës në sistemin serb i kanë shfrytëzuar edhe shqiptarët dhe vlerëson se funksionimi i kësaj kompanie është dashur të zgjidhet kohë më parë me autoritetet kosovare.

Pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë serbët dhe vazhdoi financimin e tyre. Supozohej se me integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës përmes një marrëveshjeje në kuadër të dialogut, institucionet e Serbisë në Kosovë do të shfuqizoheshin. Megjithatë, kjo nuk ndodhi kurrë.

Kosova nuk i njeh këto institucione dhe i konsideron të paligjshme, por deri më tani askush nuk ka tentuar t’i mbyllë.

Çfarë tani?

Autoritetet e Kosovës e arsyetuan veprimin e mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në komunat në veri duke thënë se kompania funksiononte pa licencë dhe se nuk ishte e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Fjala vjen, degët e Postës së Serbisë funksionojnë edhe në zonat në jug të Ibrit.

Rangjel Nojkiq beson se funksionimi i Postës së Serbisë në Kosovë mund të zgjidhet nëse ka vullnet të mirë dhe një vështrim real të situates.

“Kjo do të thotë se menaxhmenti i Postës së Serbisë në Kosovë duhet urgjentisht të kontaktojë organin rregullativ dhe institucionet në Prishtinë për ta zgjidhur këtë problem. Duhet nisur një iniciativë dhe jo vetëm të heshtet, ndodhi ajo që ndodhi”, thotë Nojkiq në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se sa ishte drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë, ka bashkëpunuar me autoritetet kosovare për të siguruar funksionimin normal të asaj kompanie.

“Ne kurrë nuk e kemi injoruar Beogradin, gjithmonë kam raportuar tek ata se çfarë kam rënë dakord (me autoritetet e Kosovës) dhe për çfarë qëllimi”, shton Nojkiq.

Drejtor aktual i Postës së Serbisë në Kosovë është Ivan Milojeviq. Ai më herët ka marrë pjesë në punën e Qeverisë së Kosovës si pjesë e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit.

Ai ishte drejtor i Zyrës për Komunitete në Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës dhe ministër i Zhvillimit Rajonal.

Zoran Angjelkoviq, ushtrues detyre i drejtorit të Ndërmarrjes Publike Posta e Serbisë me qendër në Beograd, ka njoftuar më 5 gusht se në bashkëpunim me Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, do të gjendet mënyra për të vazhduar ofrimin e shërbimeve në Kosovë.

Kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it nëse po i shqyrtojnë mënyrat se si do të vazhdojë funksionimin Posta e Serbisë dhe nëse do të kërkohet që kjo çështje të ngrihet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk janë përgjigjur as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, më herët ka thënë se me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit sepse është rënë dakord që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut.

Më pas BE-ja, e cila është duke ndërmjetësuar dialogun, tha se në kuadër të Marrëveshjes së Telekomunikacionit të arritur më 2013 dhe Planit të Veprimit më 2015, të dyja palët ranë dakord që të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm brenda dialogut.

A mund të ngritë tensione mbyllja e Postës së Serbisë?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti “të turpshëm dhe të vrazhdë” njoftimin e Bashkimit Evropian për shkak të thirrjes për gjetjen e zgjidhjes përmes negociatave në kuadër të dialogut.

Ai shtoi se sjellja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është “përpjekje për të provokuar një konflikt armatosur”.

“Ne nuk duam luftë, ne duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, tha Vuçiq.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike thotë se ekziston rreziku i krizës së sigurisë sepse takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi “vetëm simulohen” në Bruksel.

“Nuk kërkohet zgjidhje. Ata (autoritetet e Kosovës) vetëm po e inkurajojnë veten për nevojat e tyre elektorale”, thotë Janjiq.

I inkurajuar është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shton Janjiq, sepse vendet perëndimore aktualisht nuk duan të merren me krizën në Ballkanin Perëndimor.

“Është e sigurt se në gjithë lojën ka një konflikt serioz mes menaxhmentit (të vendeve) të tjera sepse BE-ja e ka humbur ndikimin e saj. Por, tashmë gjithçka është në fazën e shtyrjes politiko-diplomatike, përveç veprimeve të menjëhershme për uljen e rrezikut. Ambasadori amerikan (Jeffrey Hovenier) nga Prishtina po e bën këtë me shumë sukses, është një shembull tekstual për ju”, thotë Janjiq.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi se është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh, promovojnë një përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar me pretendimet se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, jo vetëm që janë në kundërshtim me marrëveshjet në kuadër të dialogut, por edhe rrezikojnë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të mbetet e bllokuar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024