Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga ngrohja globale po shkaktojnë një rritje dramatike të shpeshtësisë së ngjarjeve ekstreme, nga thatësira deri te përmbytjet e shpejta; dhe të gjitha modelet që kemi në dispozicion na tregojnë se situata do të përkeqësohet në vitet e ardhshme, shkruan focus.it.
Prandaj, të gjitha ekosistemet tokësore do të ekspozohen ndaj stresit gjithnjë në rritje, dhe bashkë me to edhe kafshët që jetojnë atje.
Studimi u fokusua tek gjitarët: 157 lloje gjithsej, për secilën prej të cilave ka të paktën dhjetë vjet të dhëna për popullatat e tyre.
Kështu u bë e mundur të verifikohej se sa dhe si janë rritur apo ulur popullsitë në dekadën e fundit, me të dhënat relative klimatike, duke theksuar marrëdhënien midis luhatjeve të popullatave dhe shpeshtësisë dhe intensitetit të disa ngjarjeve ekstreme atmosferike.
Elefantët, rinocerontët, arinjtë, shimpanzetë janë të gjithë shembuj të specieve që tolerojnë më mirë motin ekstrem: ata në fakt mund të përqendrojnë të gjitha energjitë e tyre në një këlysh të vetëm, apo edhe të presin që urgjenca të kalojë përpara se të riprodhohen.
Janë gjitarët më të vegjël që kanë shumë këlyshë (minj, ketra, dhelpra) që vuajnë ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe në rast të ngjarjeve ekstreme popullatat e tyre mund të shemben shumë shpejt.
Një detaj, ky i fundit, vendimtar: të njëjtët autorë të studimit saktësojnë se, për një specie, aftësia për t’i rezistuar klimës ekstreme nuk shkon paralelisht me rrezikun e zhdukjes – që shkaktohet jo vetëm nga ndryshimet klimatike, por edhe nga shkatërrimi i habitatit, ndotja, gjuetia, pushtimi i specieve ekzotike.
Shkurtimisht: vetëm për shkak se një specie është e pajisur më mirë për të përballuar përmbytjet, thatësirat dhe valët e të nxehtit nuk do të thotë se është i sigurt nga rreziku i zhdukjes.