Cilat janë synimet e diplomacisë ruse në Afrikë

Cilat janë synimet e diplomacisë ruse në Afrikë

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov po bën një turne të zgjeruar në Afrikë, në përpjekje për të gjetur aleatë, mes zemërimit dhe izolimit global për mungesën e ushqimit pas sulmit rus të Ukrainës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, njofton.

Rifillimi i dërgesave të grurit ukrainas dhe rus ka qenë tema numër një në çdo ndalesë të turneut të ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Afrikë këtë javë, përfshirë në qytetin Oyo të Republikës së Kongos.

“Kemi kënaqësinë të mirëpresim Sergei Lavrovin, i cili vjen me lajme të mira, përfshirë marrëveshjen që u nënshkrua në Turqi, e sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, për rifillimin e eksportit të grurit ukrainas përtej Detit të Zi dhe përmes ngushticës së Bosforit”, thotë Jean-Claude Gakosso, ministër i Jashtëm i Republikës së Kongos.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt dhe bllokimi i porteve të Ukrainës ka ndërprerë masivisht dërgesat e grurit, duke bllokuar miliona tonë drithë dhe duke shkaktuar rritje të çmimeve globale të mallrave. Kombet e Bashkuara thonë se 47 milionë njerëz të tjerë po përballen tani me “uri të thellë” – me vendet në Afrikë veçanërisht të goditura.

Lavrov e filloi turneun e tij në Egjipt të dielën, duke siguruar vendin se porositë e tyre për dërgesat ruse të grurit do të përmbushen dhe duke fajësuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për mungesat. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se bombardimi i Rusisë në Odesa të shtunën e vë në rrezik marrëveshjen e grurit të Stambollit të ndërmjetësuar nga OKB javën e kaluar. Zelenskyy tha se Moska gjen gjithmonë një mënyrë për të mos zbatuar premtimet e saj. Lavrov tha se sulmi në Odesa nuk do të ndikojë në dërgesat e grurit.


Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se Lavrov synon ta paraqesë nën dritë tjetër krizën ushqimore gjatë vizitës së tij në Egjipt, Republikën e Kongos, Ugandë dhe Etiopi.

“Bllokada ruse e drithit në portet e Ukrainës dhe shkatërrimi i qëllimshëm i kapaciteteve bujqësore të Ukrainës është në qendër të kësaj përpjekjeje, pasi Rusia po përpiqet të lidhë në mënyrë të rreme eksportet e grurit të Ukrainës me sanksionet kundër Rusisë, dhe të përcaktojë në mënyrë të rreme Ukrainën si përgjegjëse në krizën globale të ushqimit”, thotë Nataliya Bugayova me Institutin për Studimin e Luftës.

Një tjetër eksperte konfirmoi se Afrika u godit veçanërisht rëndë nga ndërprerja në furnizimin me drithëra të shkaktuar nga agresioni rus.

“Sigurisht, rajoni po ndjen ndikimin dhe implikimet e pasigurisë ushqimore. Administratorja e USAID-it, ambasadorja Samantha Poëer, sapo ishte në rajon dhe njoftoi një pikë tre miliardë dollarë ndihma”, thotë Susan Stigant.

Stigant i tha Zërit të Amerikës se Afrika varet nga Rusia për rreth 40 për qind të furnizimeve të saj me drithëra, ndërsa rreth 60 për qind e tokës së papunuar në botë është në Afrikë./VOA/

Lexo edhe

Video