Ashtu sikur në të gjithë botën, edhe në Kosovë kërkohet respektimi rigoroz i ligjit Anti-doping në sport. Është Agjencia Kosovare e Anti-dopingut që ka kompetencë për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, si dhe testimin e sportistëve.
Koordinatori i Agjencisë Kosovare të Anti-Dopingut, Bernard Tahirbegolli, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se numri i sportistëve të testuar për substanca të ndaluara po rritet nga vitit në viti dhe se vetëm gjatë vitit të kaluar janë bërë 90 testime.
Por, në rast se një sportistë ose një organizatë sportive rezulton të jetë e përfshirë në përdorimin e substancave të ndaluara, dënimet janë mjaftë të larta. Ato variojnë nga 1.500 deri në 30 mijë euro.
“Ligji për Anti-doping përveç funksioneve i ka paraparë edhe gjobat. Sipas kodit botëror anti-doping, përveç se suspendohet sportisti ose ekipi, ose i merret titulli, medalja duhet ta kthej titullin që e ka prej momentit kur ka dal pozitiv. Për shembull ka marr medalje olimpike dhe duhet ta kthejë medalje olimpike sepse nuk mund ta mbajë medaljen olimpikë në shtëpi dhe të jetë i suspenduar për atë...Bursat nëse është duke i marr, për të gjithë kohën e suspendimit nuk mundet t’i marr, i ndërpriten të gjitha fondet publike, nuk mund të garojë apo stërvisë me ekipin...Edhe ka gjoba në të holla, për individ është deri 1500 euro gjoba që mundet të marr, ndërsa për organizata është deri në 30 mijë euro gjobë që mund të shqiptohet, por ka varet mandej nga vendimi i Komisionit Disiplinor”, bëri të ditur Tahirbegolli.
“Ato substanca që janë të ndaluara aty janë të grupuara në disa kategori. Kategoria e parë janë substancat që janë të ndaluara gjatë gjithë kohës...një grup tjetër janë substanca që janë të ndaluara vetëm brenda garës. Kjo periudha brenda garës, me disa përjashtime, fillon një ditë më herët, në orën 23:59, deri të nesërmen pas lojës...Një grup tjetër i substancave janë substanca të ndaluara vetëm për sporte të caktuara. Për shembull në shigjetari janë të ndaluara metabllokatorët, ilaqe që një mjekësi i përdorin për të trajtuar probleme të zemrës...Mandej është edhe një grup tjetër i metodave të ndaluara, manipulimi me gjene, manipulimi me gjak, produkte të gjakut janë si metoda të ndaluara”, theksoi Tahirbegolli.
Zbatimi në praktikë dhe kontrollet në teren, Tahirbegolli thotë se fillimisht kishin hasur në disa pengesa, por me kalimin e kohës komuniteti sportiv është vetëdijësuar dhe se tani testimet për anti-doping, janë mëse normale.