Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), e nënshkruar nga Kosova këto ditë në Davos të Zvicrës, pritet të jetë e dobishme për prodhuesit vendor që eksportojnë mallra në vendet e EFTA-s. Sipas ekspertëve të ekonomisë kjo marrëveshje do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit, duke eliminuar barrierat doganore dhe rritur shkëmbimin tregtar dhe promovuar bizneset vendore. Porse, sfidë sipas tyre në këtë marrëveshje, mbetet një klauzole në kuadër të marrëveshjes ku thuhet se produktet me përmbajtje shtazore do duhej t’i nënshtroheshin rregullave të BE-së.
Marrëveshja, që fokusohet në liberalizimin e tregtisë së mallrave, do t'u mundësojë prodhuesve të eksportojnë një sërë produktesh në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.
Ndërkaq, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka komentuar gjithashtu përfitimet dhe sfidat e kësaj marrëveshje. Sipas tij, kjo marrëveshje eliminon disa nga barrierat tregtare që kanë ekzistuar, sidomos me shtetin zviceran dhe disa shtete të tjera që nuk janë anëtare të BE-së.
Një ndër prioritetet e marrëveshjes është fuqizimi i eksportit të produkteve kosovare, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, industrisë së përpunimit dhe teknologjisë.
EFTA dhe Kosova nisën negociatat e tyre drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë në qershor 2022. Midis gushtit 2022 dhe shtatorit 2024, u mbajtën katër raunde negociatash dhe disa takime ndërsesionale.