Çelet sezoni turistik në Pogradec, aktivitete të shumta për qytetarët e turistët

Çelet sezoni turistik në Pogradec, aktivitete të shumta për qytetarët e turistët

Në Pogradec u çel sot sezoni i ri turistik.

Me këtë rast, bashkia e Pogradecit organizoi dhjetëra aktivitete për çeljen e sezonit të ri që u ndoqën nga qytetarët dhe turistët e shumtë.

Aktivitetet e çeljes së sezonit veror nisën me bandën frymore, e cila parakaloji në rrugët kryesore të qytetit.

Parakalimi nisi tek Rr. “Rinia” dhe vijoi në Bulevardin “Reshit Çollaku” në drejtim të Kishës së Re. Më pas parakalimi zbriti në shëtitoren e qytetit për t’u ndalur në Odeon, ku nisi zyrtarisht aktiviteti.

Për shkak të aktiviteteve të shumta u ndalua qarkullimi i automjeteve në rrugët, Bulevardi “Reshit Çollaku” nga ora 8:00 deri në orën 14:00 dhe shëtitorja “10 Dëshmorët e Pojskës” përgjatë gjithë ditës.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.


Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3/sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët.

Lexo edhe

Video