Çeku: Kam pranuar mesazhe kërcënuese nga Serbia pas reagimit në FIFA për veprimin e tyre në Botëror

Çeku: Kam pranuar mesazhe kërcënuese nga Serbia pas reagimit në FIFA për veprimin e tyre në Botëror

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se ditëve të fundit po pranon mesazhe ofenduese dhe kërcënuese nga Serbia dhe se kjo po vie si shkak i “senzibilizimit të opinionit botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022”.

Këtë reagim Çeku e ka bërë në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, kua ka thënë se ai dhe familja e tij janë kërcënuar edhe me vrasje.

“Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor.”, ka shkruar i pari i MKRS-së.


“Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese.”, ka shtuar ai.

Në fakt, para ndeshjes ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në zhveshtoret e kësaj të fundit ishte vendosur një flamur në të cilin shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Për këtë veprim të tyre, Federata e Futbollit të Kosovës ka dërguar ankesë në FIFA, organet e së cilës kanë konfirmuar tashmë se kanë nisur hetimet rreth kësaj ngjarje.

Lexo edhe

Video