Çeku: Buxheti për zgjerimin e “Fadil Vokrrit” është gati, për kuvendin e FFK-së do të kërkojmë interpretim nga gjykata

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se zgjerimi dhe rrija e kapaciteteve të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të realizohet brenda këtij viti dhe se buxheti për ta bërë këtë tashmë është i garantuar.

Çeku ka thënë se kjo çështje është njëra nga prioritet e ministrisë që ai e drejton, por ka thënë se kur bëhet fjalë për projekte infrastrukturore, punët duhet të bëhen me shumë kujdes duke respektuar të gjitha procedura ligjore.

Këto komente, i pari i MKRS-së i bëri gjatë një konference për media ku ndër të tjera dënoi asspër sjelljen e shtetit serb i  cili të shtunën nuk i lejoi pingpongistët nga Kosova që ta marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Pingpongut që po zhvillohet në Beograd.

“Ne e kemi një version të një propozimi për zgjerimin e “Fadil Vokrrit”, megjithëatë, kur të hyjmë në investime kaq të rëndësishme infrastrukturorë duhet të jemi të kujdesshëm, projektet duhet të jenë të hartuara në mënyrë profesionale. Është një diskutim që e kemi nisur me federatën prej disa kohësh dhe unë besoj që në një moment ta caktuar ne do ta kemi edhe projektin përfundimtar për këtë. Buxheti unë iu sigurojë që asnjëherë nuk do të jetë problem në infrastrukturën sportive dhe për këtë ne e kemi edhe zotimin e ministrit të financave por edhe të kryeministrit. Buxheti ekziston, mundësitë buxhetore janë, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që investimet në infrastrukturë t’i bëjmë në mënyrë profesionale duke respektuar ligjin dhe procedurat…Unë iu sigurojë që çështja e zgjerimit të kapaciteteve të ‘Fadil Vokrrit’ është një nga prioritetet tona më të rëndësishme në këtë ministri dhe unë besoj që gjatë këtij viti do t’i japim drejtim edhe këtij projekti ”, tha Çeku.


Çeku gjithashtu u kthye të flas edhe mbi Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, i mbajtur me 6 prill të këtij viti ku tha se kjo ministri ka ngritur shqetësimet në lidhje me këtë kuvend.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë dhe ka pasur edhe komunikim zyrtar me federatën. Ne i kemi ngritur shqetësimet tona në raport me mbarëvajtjen e këtij kuvendi zgjedhor të Federatës së Futbollit. Ka qenë Federata e Futbollit ajo që ka vendosur të vazhdojë tutje sipas bindjeve të tyre sepse megjithëatë të gjitha organizatat sportive gëzojnë autonomi edhe pavarësi sportive ku ne nuk mund të ndërhyjmë. Ne kemi shterur të gjitha mundësitë administrative, ligjore që na takojnë si ministri edhe në kuadër të ligjit të sportit.”, theksoi Çeku.

I pyetur nga KosovaPress nëse MKRS do ta dërgojë në gjykatë këtë çështje, Çeku tha se janë duke shikuar mundësitë ligjore për të kërkuar një interpretim përfundimtar nga gjykata nëse ky kuvend ka qenë i rregull dhe konform ligjit të sportit.

“Se çfarë do të ndodh tani e tutje unë besoj se i takon një instance tjetër që është gjyqësori dhe ne vetëm mund ta dërgojmë këtë çështje në gjykatë për ta dhënë një verdikt përfundimtar nëse ai kuvend ka qenë i ligjshëm apo jo….Ne jemi duke e shqyrtuar në zyrën tonë ligjore mundësinë që mbase edhe ministria, në kuadër të pretendimeve që i kemi ngritur në atë opinionin ligjor të para disa kohësh të kërkojmë edhe një interpretim përfundimtar gjyqësor nga gjykata. Nuk e kam informatën e fundit se deri ku ka arritur ky vlerësim në zyrën ligjore por mund ta verifikojë shpejtë dhe t’ua kthejë një përgjigje në lidhje me këtë.”, tha në fund çeku.

Ndryshe, në kuvendin e 6 prillit, Agim Ademi u rizgjodh si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës për një mandat të dytë, por deri tek zgjedhja e tij pati shumë kundërshtime dhe polemika mbi mbarëvajtjen e këtij kuvendi. Madje, Gramoz Vokrri, i cili kishte shpallur kandidaturën për këtë pozitë, e kishte dërguar çështjen në gjykatë, por kjo e fundit i kishte kthyer përgjigje negative.

Lexo edhe

Video