Çekia ruan në muze maskat e koronavirusit, simbol i situatës

Çekia ruan në muze maskat e koronavirusit, simbol i situatës

Duke i cilësuar simbol të situatës, maskat e koronavirusit do të ekspozohen në Muzeun Kombetër të Çekisë. Me qindra maska artizanale ku spikatin motivet popullore dhe ato flamuri kombëtar, ekspozita e vogël në Pragë, sinjalizon se një ditë edhe Covid 19 do të jetë histori.

Një ditë koronavirusi do të jetë histori. Duke e vënë theksin pikërisht tek ky mesazh, Muzeu Kombëtar i Çekisë ka sjellë për publikun një ekspozitë me maskat mbrojtëse nga COVID-19.

Ato janë përzgjedhur nga qindra maska të dërguara nga publiku dhe janë kryesisht me motive popullore. Mes tyre spikat edhe një maskë e krijuar nga një fëmijë me autizëm.

“Ka një sasi të madhe të produkteve sot, është e vështirë të thuhet se çfarë duhet t’i lihet brezave të ardhshëm. Maskat janë një simbol i situatës,”- tha kuratorja Mira Burianova.


Kur filloi kriza, numri i maskave industriale ishtë i pamjaftueshëm, ndaj kjo situatë nxiti artizanët t’i bënin maskat në shtëpi.

“Unë punoj në kujdesin shëndetësor dhe ajo që më interesoi më shumë, ishte se kur nuk kishim asgjë në spital, i gjithë kombi u ngrit dhe qepi maska për dy ditë. Njerëzit duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin,”- tha Ludmila Brazdova nga Brno.

Qeveria Çeke ishte ndër të parat që bëri të detyrueshme vendosjen e një maskë në ambientet jashtë shtëpisë.

Me 8,725 raste dhe 304 vdekje deri më tani, vendi është prekur më pak se disa vende në Evropë, megjithëse ka mendime të ndryshme përsa i përket efektshmërisë së maskave.

Lexo edhe

Video