Çavuşoğlu: Turqia s’do të lejojë që Ballkani të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta

Çavuşoğlu: Turqia s’do të lejojë që Ballkani të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi sot se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi sot me kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast theksoi mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ministri turk teksa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve, theksoi se Kosova është vend partner i NATO-s dhe se Turqia e vlerëson tejet të rëndësishme paqen dhe stabilitetin. 

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se Turqia është partner, mik dhe aleat i madh i  Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë.


Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.

Në takim u diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri turk sot gjatë ditës është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Lexo edhe

Video