Intervista
Lipa: Peja synon titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës
Synimet e klubit të basketbollit “Peja”, janë të qarta, por edhe shumë të larta. Verdh e zinjtë duan titullin e kampionit, por edhe Kupën e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, Ardit Lipa, zëdhënës i skuadrës pejane. Sipas tij, titulli dhe kupa janë gjithmonë në objektivin e klubit, por që prapa nuk mbetet as synimi për paraqitje dinjitoze edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas Lipës, rivaliteti në elitën e basketbollit kosovar është tejet i lartë, por që skuadrat favorite për titull, sipas tij, janë Peja dhe Trepça. Në garat evropiane, përkatësisht në FIBA Europe Cup, Peja, nuk arriti që ta kalonte fazën e grupeve, por Lipa thotë se ndikim të madh pati numri i madh i lojtarëve të dëmtuar. Gjatë afatit kalimtar të janarit, Lipa ka bërë ditur se “Peja”, do të bëhen disa përforcime, por vetëm me basketbollistë vendor, pasi numri i basketbollistëve të huaj është i kompletuar në skuadër. Në muajin nëntor të vitit 2023, Peja u përball me një situatë të çuditshme, ku basketbollisti amerikan, Jakom Colloway iku nga klubi pa e njoftuar askënd. Për këtë situatë, Lipa bëri të ditur se kanë mbetur të shokuar drejtuesit e klubit dhe se ndaj lojtarit do të ndiqen të gjitha proceduar ligjore sepse ka qenë një prishje e kontratës në mënyrë të njëanshme. Sa i përket situatës financiare, Lipa tha se Peja tashmë është në një situatë shumë stabile dhe nuk ka telashe me pagesat e lojtarëve e stafit dhe se kjo po ia mundëson edhe planifikimin e së ardhmes me plane të reja ambicioze, një prej të cilave është edhe mbajta e trajnerit, Rami Hadar sa më gjatë në krye të skuadrës.
Më shumë nga Intervista
Total: 414
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024