Intervista
Hoti: Qasja e gabuar e Kurtit rrezikon përjashtimin e Kosovës nga CEFTA e Procesi i Berlinit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ia “ka lidhur këmbët” Kosovës me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, pasi që sipas tij, fokusi kryesor i kësaj ujdie është themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe jo njohja reciproke. Hoti në një intervistë për KosovaPress, thotë se qasja e gabuar e Kurtit rrezikon përjashtimin e Kosovës nga mekanizmat rajonalë CEFTA dhe Procesi i Berlinit. Krahas kësaj, ai nënvizon se Ekzekutivi vendor nuk mund të pretendojë se ka shtrirë sovranitetin në veri derisa komuniteti serb nuk është përfshirë në institucione. Ai i sheh me rezerva takimet e krerëve institucionalë në SHBA dhe vendet aleate, pasi siç thotë, rezultatet në politikën e jashtme janë zero. Ai ka edhe një porosi për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. “Kosova ia ka lidhur këmbët vetes me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Këtu ndihem keq. Përderisa kemi lënë procesin e dialogut në binarë që dërgon në njohje reciproke, sot kemi përfunduar me një marrëveshje e cila fokusin kryesor e ka në themelimin e asociacionit. Derisa në qeveritë paraprake kemi pasur letra të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të dyja të angazhohen në proces të dialogut për njohje reciproke, tash kemi presion ndaj Kosovës që të angazhohet në themelim të asociacionit. Ky është dallimi dhe degradimi i dialogut gjatë këtij mandati”, tha Hoti. Ish-kryeministri Hoti, thotë se Qeveria Kurti ka humbur besimin e aleatëve andaj ata edhe e kërcënojnë Kosovën me përjashtim nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit. Sipas tij, vendosja e masës së sigurisë për mallrat serbe nuk është e duhur, pasi për çdo dyshim nevojitet të fuqizohen kufijtë dhe të rritet shkalla e gatishmërisë pa pasur nevojë për masa tjera që rrezikojnë Kosovën në këta mekanizma rajonalë. Duke folur për pretendimet e qeverisë për shtrirje të sundimit të ligjit dhe sovranitetit në veri, Hoti thotë se s’mund të pretendohet një gjë e tillë, derisa komuniteti serb nuk është përfshirë në institucione. Sa i përket politikës së jashtme, Hoti thotë se Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë dështuar duke mos i sjellë Kosovës asnjë njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Hoti kërkon nga Kurti dhe Osmani të japin përgjigje, siç thotë, për mashtrimet ndër vite që iu kanë bërë qytetarëve. Ai akuzon edhe presidenten, e cila sipas tij nuk mund të amnistohet për dështimet e Qeverisë.
Më shumë nga Intervista
Total: 91
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024