Paraatleti Grevisti Bytyqi garoi në Lojërat Paralimpike, “Paris 2024”, duke shkruar kështu kapitullin e parë dhe më të rëndësishëm të historisë së Kosovës në Lojëra Paralimpike - paraqitja jonë e parë ndërkombëtare.
Vetëm 200 metra pas fillimit të vrapit 1500-metërsh, në sportin e atletikës, në të cilin garoi Bytyqi, ndodhi një incident që ndikoi që paraatleti ynë të humb ritmin e garës duke u goditë në këmbë nga një atlet tjetër. Si rrjedhojë e kësaj, atleti që shkaktoi incidentin u diskualifikua.
Emocionet ishin të jashtëzakonshme teksa Grevisti u bë kosovari i parë që shkel stadionin “Stade de France”, si një paraatlet, i barabartë me të tjerët nga e gjithë bota.
Realizimi i këtij rrugëtimi madhor për parasportin kosovar do ishte i pamundur pa lidershipin e presidentes së Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.
Komiteti Paralimpik i Kosovës i është mirënjohës të gjithë atyre që i kontribuuan paraqitjes së parë të Kosovës në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, si dhe që mbështesin parasportin kosovar.
https://kosovapress.com/paralimpisti-grevist-bytyqi-garon-sot-ne-lojerat-paralimpike