Bushati për ngjarjet në Kosovë: E reja e ka të vështirë të triumfojë mbi të vjetrën

Bushati për ngjarjet në Kosovë: E reja e ka të vështirë të triumfojë mbi të vjetrën

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë për Euronews Albania, duke diskutuar për ngjarjet e fundit në Kosovë, deklaroi se e reja e ka të vështirë të triumfojë mbi të vjetrën.

“6 tetori ka qenë triumfi i së resë mbi të vjetrën dhe është e qartë që në këtë kënd të Evropës e reja që të lind apo që të korri triumf përfundimtar e ka paska të vështirë dhe do të duhet më shumë mund dhe përplasje me të vjetrën. Ajo që është për të ardhur keq është se në këto momente të pandemisë ku kryesore mbetet shëndeti dhe siguria e jetës njerëzore, në Kosovë duket se ka një kacafytje për fat të keq për pushtet”, deklaroi Bushati.


I pyetur rreth qëndrimeve për taksën, Bushati tha se nuk dëshiron të mbajë anën e askujt porse Kosova ka nevojë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që bazohet mbi të drejta dhe jo mbi territore.

Ai kërkoi edhe më shumë ndërveprim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa retorikën kundër BE-së në Kosovë e quan të dëmshme për vendin tonë duke shtuar se liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur për shkak të keqqeverisjes dhe për shkak të BE-së.

“Sa i përket rolit të partnerëve besoj se edhe në rastin e marrëveshjes së Prespës një ndërveprim mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sidomos Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, zemra e vendeve që përbëjnë Quint-in, është një domosdoshmëri edhe në rastin e Kosovës sepse retorika kundër Bashkimit Evropian apo qurravitjet në Twiter apo nga mediumet të ndryshme ndaj Bashkimit Evropian nuk i bëjnë nder Kosovës thjesht e çimentojnë ‘status quo’-në për disa sundimtarë por që ka pasoja dramatike për qytetarët e Kosovës të cilët kanë vite që vuajnë nga izolimi dhe fakt ky izolim nuk ka ardhur nga BE, as nga SHBA por nga keqqeverisja”, tha Bushati.

error: