Kryeministri në detyrë i Bullgarisë Dimitar Glavchev e përshkroi pranimin e plotë të Sofjes zyrtare në zonën Shengen si "një ngjarje historike", "një arritje kurorëzuese" dhe "rezultat i përpjekjeve të shumë njerëzve".
Glavchev vizitoi sot pikën e kontrollit Kulata në kufirin me Greqinë, së bashku me ministra dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore, për të shënuar integrimin e plotë të Bullgarisë në Shengen pasi kontrollet kufitare tokësore u hoqën nga 1 janari 2025.
Ai ia vlerësoi këtë arritje "rojeve kufitare, punonjësve të shërbimit, personelit të Frontex dhe të gjithë aleatëve tanë në Bashkimin Evropian".
"Jam i bindur se së bashku do t'i mbrojmë më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së," tha ai.
Kryeministri në detyrë vuri në dukje se nga Greqia në Finlandë në veri dhe Portugali në perëndim, njerëzit tani mund të kalojnë pa kontrolle kufitare.
"Qysh në ditët e para, dallimet do të bëhen të qarta dhe shtetasit bullgarë do të përjetojnë komoditetin e anëtarësimit tonë të plotë në Shengen," shtoi ai.
Ministri në detyrë i Turizmit Evtim Milloshev, i cili gjithashtu vizitoi postbllokun e Kulatës, tha se Bullgaria është një destinacion tërheqës dhe i sigurt. Ai u shpreh optimist për të ardhmen e turizmit, tashmë që vendi është anëtar i plotë i Shengenit.
Milloshev vuri në dukje se produkti turistik i Bullgarisë është shumë konkurrues, veçanërisht për sa i përket raportit cilësi-çmim.
Më 12 dhjetor 2024, Këshilli i BE-së vendosi të heqë kontrollet ndaj personave në kufijtë e brendshëm tokësorë me/dhe midis Bullgarisë dhe Rumanisë. Të dy vendet kanë qenë në pritje të pranimit në Shengen qe nga 2010, kur Këshilli i BE-së raportoi se kërkesat ligjore ishin përmbushur. Në vitet në vijim, pavarësisht këtij vlerësimi dhe thirrjeve të përsëritura nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, në Këshillin e BE-së nuk u arrit pajtimi i nevojshëm.
Ministri i Brendshëm në detyrë Atanas Ilkov dhe homologu i tij rumun, Catalin Predoiu, vizituan kalimin kufitar të Urës së Danubit midis Ruse dhe Giurgiu në orën 12:01 të mëngjesit të së mërkurës për të festuar integrimin e plotë të dyja vendeve në Shengen. /BTA