Bujqit e Luginës në hall, Serbia tenton anulimin e subvencionimit nga Kosova
Tjera
Lexohet për: 5 min.
2 orë më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka kritikuar veprimin e Alternativës për Ndryshim, e cila sipas tij i ka dërguar shkresë ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd, përmes së cilës i ka njoftuar për hapjen e konkursit për subvencionimin e kulturave bujqësore nga fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës.

“Më datë 11 nëntor 2024 subjekti politik Alternativa për Ndryshim (APN) i ka dërguar shkresë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd përmes së cilës i ka njoftuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka hapur konkurs për subvencionimin e kulturave bujqësore (nga Fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës). Pas kësaj shkrese, dje na është drejtuar me një shkresë Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve ku kërkon nga KKSH që në afat prej 8 ditësh t'i përgjigjemi se në cilën dispozitë ligjore jemi thirrur lidhur me hapjen e konkursit për subvencionimin e kulturave bujqësore, dhe në të njëjtën kërkesë Ministria kërcënon se në rast se KKSH nuk e anulon vendimin atëherë vetë Ministria do ta bëj”, tha ai.

Luftiu tha se nuk do ta anuloj asnjë vendim duke shtuar se me vetëdije të plotë ka ndërmarr çdo veprim me qëllim që sipas tij t'i mbështesin familjet shqiptare të cilat mbijetojnë prej këtij sektori.

“Ky veprim i APN rrezikon që qindra bujq shqiptarë të mbesin pa mbështetje. Hipokrizia e madhe qëndron në faktin se disa nga akterët e APN vetë kanë aplikuar për të përfituar nga ky konkurs. Në afatin e përcaktuar do t'i përgjigjemi Ministrisë. Për këto zhvillime e kam njoftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, në rast se ky proces bllokohet nga Ministria, do të kërkojmë masa reciprociteti”, ka shkruar ai.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Sipas tij një masë e re diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, po përgatitet nga “marioneta kroate e Aleksandër Vuçiqit, ministrit për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Tomislav Zhigmanov”.

“Ai ka kërkuar nga Këshilli kombëtarë të anulojë konkursin e shpallur për subvencionet në bujqësi, mjete këto të destinuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të përkrahjes institucionale që Republika e Kosovës po ofron për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Zhigmanov ka kërcënuar se ai dhe ministria e tij do të anulojnë konkusin e KNSH nëse ky i fundit, nuk e anulon vet”, tha ai.

Kamberi ka thënë tutje që shumë qartë që me këtë kërcënim të ri që Beogradi zyrtar po e jep në adresë të të gjithë shqiptarëve, po tenton të pengojë ndikimin e Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës, të vrasë çfarëdo shprese për një perspektivë më të mirë të shqiptarëve dhe të pamundësojë rimëkëmbjen e bujkut, blegtorit, zanatlisë, mediave, sektorit civil dhe secilës sferë tjetër këtu që mund të ndihmohet nga buxheti i RKS në Luginë.

“Kjo letër inicuese e një subjekti politik shqiptar, që kërkon ndihmë prej Beogradit për të penguar ndikimin e Kosovës në Luginë të Preshevës, po shtrohet si pengesë serioze për realizimin, jo vetëm të subvencioneve në bujqësi, por në tërësi të Fondit që Kosova e ndanë për Luginën e Preshevës. Alternativa për Ndryshim, ndër vite po dëshmon një politikë klienteliste e nënshtruese ndaj Beogradit, por të kërkosh ndihmë nga Beogradi për të penguar ndihmat që Kosova sjell në Luginë, kjo e çon në një shkallë tjetër këtë klientelizëm”, ka shkruar Kamberi.

Kamberi vlerëson se ky është një rast tjetër që dëshmon domosdoshmërinë e vendosjes së reciprocitetit në të drejta mes shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe serbëve në Kosovë.

Përndryshe sipas tij çfarëdo zgjidhje tjetër çelë konflikte të reja.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhet të përdorë këtë rast të diskriminimit flagrant në takimet e radhës në Bruksel, ndërsa Shqipëria zyrtare ta adresojë nëpër forumet ndërkombëtare. Në këtë betejë me Serbinë, shqiptarët e Luginës presin ndihmën e pozitës e opozitës në Prishtinë dhe pozitës e opozitës në Tiranë. Ndërkombëtarët nuk duhet ta heshtin këtë akt jonjerëzorë”, ka kërkuar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024