Buffon: Juventusi humbi harmoninë me Ronaldon

Buffon: Juventusi humbi harmoninë me Ronaldon

Portieri veteran Giangluigi Buffon beson që transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi ishte shkaktar që gjigandi italian humbi harmoninë në ekip, e veçanërisht në dështimin në Ligën e Kampionëve.

Buffon momentalisht është ende aktiv, ku mbron ngjyrat e skuadrës italiane Parma e cila garon në Serie B, dhe nuk dëshiron që të pensionohet nga futbolli derisa të rikthej skuadrën e tij në Serie A, përcjell KosovaPress.

Legjenda e Kombëtares së Italisë foli për “TUDN.com” për situatën e tij momentale te Parma, dhe në transferimet e mundshme në Meksikë apo në Ligën e Amerikës.


Po ashtu, Buffon komentoi efektin që Cristiano Ronaldo kishte te Juventusi, efekt ky të cilin e cilësoi si negativ.

“Juventusi kishte shansin që ta fitonte Ligën e Kampionëve vitin e parë që Ronaldo u transferua, vit ky në të cilin asokohe isha pjesë e Paris Saint-Germain, dhe nuk mund ta kuptoja se çfarë kishte ndodhur”, tha Buffon.

“Kur u riktheva un, kam stërvitur së bashku me Ronaldon për dy vite dhe kishim miqësi tejet të mirë, por unë mendoj që Juventusi e humbi harmoninë e të qenit ekip. Ne arritëm në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2017 sepse ishim një skuadër me shumë eksperiencë, por mbi të gjitha ishim një ekip i bashkuar, dhe ekzistonte gara në skuadër për vend në formacionin bazë që ishte tejet e fortë. Por e humbëm këtë gjë me Ronaldon”, shtoi legjenda italiane.

Pavarësisht kësaj, edhe pse është transferuar këtë verë te Manchester United, Cristiano Ronaldo mbetet golashënuesi më i mirë i Juventusit për vitin 2021 me gjithsej 20 gola të shënuar për “Zonjën e Vjetër”.

Lexo edhe

Video