BSPK: Draftligji i pagave është i papranueshëm, diskriminon punonjësit e Kosovës

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Zjarrfiksëve, janë shprehur të pakënaqur me draftligjin e ri të pagave. Ata po kërkojnë nivelizim me shërbimet e tjera, pasi thonë se ata janë të gatshëm të jenë në shërbim të popullit por jo në shërbim të neglizhencës.

 Atdhe Hykolli nga BSPK, thotë për KosovaPress, se është i papranueshëm draftligji i ri për paga, pasi që kjo diskriminon punonjësit e Kosovës.

“BSPK-ja është pjesë e ligjit të pagave, ne e kemi biseduar vetëm pjesën e parë të draftit. BSPK-ja i ka pasur edhe konkluzionet e veta, ndërsa pjesa tjetër shtojcat që kanë dalë në publik, për ne është e papranueshme dhe nuk e pranojmë në formën që ka dalë në mjetet e informimit… Ne jemi pjesë e komisionit, ne kemi pasur një takim dhe po presim pjesën zyrtare që vetë ata kanë deklaruar që do të na dërgojnë dhe diskutojmë. Mirëpo, prapë po them që ky ligj që ka dal është i papranueshëm për ne, sepse i diskriminon punonjësit e Kosovës”, thotë Hymolli.

Sa i përket ndarjes së kategorive, Hymolli shprehet se të gjitha kategoritë e punonjësve janë nënvlerësuar nga drafti që ka dalë, përveç asaj politike. Ndërsa i pyetur se a do të ketë ndonjë protestë për këto pakënaqësi, Hymolli nuk e mohoi, pavarësisht asaj që tha se është duke u munduar të dialogojë për këtë çështje.


“Unë mendojë që të gjitha kategoritë, përpos atyre që janë politike, të gjitha kategoritë e tjera, punonjësit tonë, anëtaret tonë që janë pjesë e punës në Kosovë, janë të nënvlerësuar me këtë draft që ka dalë jashtë….Ne paraprakisht po mundohemi sepse ne jemi partner social me Qeverinë e Kosovës, andaj po mundohemi që gjërat t’i dialogojmë, mirëpo siç e dinë i gjithë opinioni, ne i kemi edhe veprimet sindikale por po besojë që nuk do të shkojë puna deri tek ndonjë protestë”, tha Hykolli.

Ndërsa, Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikëseve tha për KosovaPress, që pavarësisht shpresës për favorizimin e ligjit të pagave, ata ndihen si një kategori që përfiton më së paku nga buxheti i Kosovës. Një ndër kërkesat e tyre është nivelizimi me shërbimet e tjera të sigurisë, pasi që sipas tij, ndihen të disfavorizuar në raport me ata.

“Po shpresojmë që ligji i pagave do të jetë i favorshëm për shërbimin e zjarrfikësve të shpëtimit, ne edhe më herët kemi bërë vërejtje sa i përket çështjes së pagave për zjarrfikësit. Zjarrfikësit janë kategoria e cila më së paku përfiton nga buxheti i Kosovës, me një koeficiente ndër më të ulët me 4.83, me të vjetrën aty …  Ne kërkesë Sindikatës dhe Zjarrfikëseve që nga fillimi kemi kërkuar që të nivelizohemi me shërbimet emergjente me Policinë e Kosovës dhe me shërbime të tjera të sigurisë, sepse aktualisht në raport me ata jemi në disfavor, jemi të paguar shumë ulët sa që as minimum nuk siguron një mirëqenie sociale të kënaqshme për shërbimin  e zjarrfikësve”, tha Beka.

Ai gjithashtu theksoi që zjarrfikësit në përgjithësi janë të gatshëm të jenë çdoherë në shërbim dhe ndihmë të popullit, por jo edhe të gatshëm të rrezikojnë shëndetin dhe jetën për shkak të neglizhencës së institucioneve.

“Zjarrfikësit janë në gjendje të rrezikojnë shëndetin dhe jetën për interes dhe në shërbim të qytetarëve, për misionin që kanë, shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale, por nuk do të jenë të gatshëm të rrezikojnë shëndetin dhe jetën për shkak të neglizhencës së institucioneve, pasi që kjo është një neglizhencë tipike. Për sa vite nuk është bërë asnjë hap para për të ndryshuar këtë gjendje…Akute është që zjarrfikësit me koeficientë të trajtohen dinjitetshëm siç trajtohen zjarrfikësit kudo në rajon, e të kenë koeficientë në bazë të funksionit që kanë. Sepse edhe me ligjin e vjetër edhe tash ne e kemi vetëm një koeficientë, një gradë për zjarrfikësit dhe një për komandantin. Ndërsa, brenda strukturës ka edhe udhëheqës grupi, skuadre, togu, zëvendës udhëheqës, zëvendëskomandant, të batalionit. Por shpresojmë që në takimin e radhës do të sqarojmë, pasi që zjarrfikësit nuk do të tolerojnë më këtë gjendje”, u shpreh Beka.

Lexo edhe

Video