Britania paralajmëron non grata në Shqipëri, Yuri Kim: Askush s’është mbi ligjin

Britania paralajmëron non grata në Shqipëri, Yuri Kim: Askush s’është mbi ligjin

Deklaratat e të dërguarit të Londrës për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach se Britania e Madhe po intensifikon përpjekjet për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar shpallje non grata nga Londra zyrtare edhe në Shqipëri, ishin muzikë për veshët e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ajo u shpreh se SHBA e përshëndet këtë vendim të rëndësishëm.


“Ne e mirëpresim këtë veprim të rëndësishëm të Britanisë së Madhe. Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për të pasuruar veten dhe për të shtrembëruar sundimin e ligjit – me fjalë të tjera, ata që janë përfshirë në korrupsion të madh dhe kanë minuar demokracinë – duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Yuri Kim.

Sapo jam kthyer nga një vizitë në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë, shkruante më herët Sir Peach, ku kam marrë një mesazh të fortë e të qartë nga qytetarët e të gjithë shtresave; të rinjtë po largohen, të nxitur nga mungesa e mundësive dhe të zhgënjyer nga korrupsioni i rrënjosur. Në Shqipëri, me Reformën në Drejtësi, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byronë Kombëtare e Hetimit (BKH), -kemi hyrë tashmë në një etapë të re dhe Mbretëria e Bashkuar është me ju në këtë përpjekje. Disa njerëz, të cilët më parë ndiheshin të paprekshëm, sot ndodhen në burg. Por ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pandëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji të mos zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo”, shprehej ai teksa njoftonte vendimin e qeverisë. /tch

Lexo edhe

Video