Britania e Madhe vazhdon mbështetjen për Kosovën për rekrutime në pozita udhëheqëse

Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada britanike në Prishtinë kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

Ky projekt i cili ka qenë edhe në të kaluarën, këtë herë do të jetë për 10 pozita udhëheqëse që përfshin borde dhe disa pozita të kryeshefave.

Ambasadori Nicholas Abbott, tha ka kënaqësinë që nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për vazhdimin e mbështetjes britanike për rekrutime meritore në Kosovë, një fushë e cila sipas tij, ka nevojë për përmirësim të mëtejmë.

Ai tha se nepotizmi dhe korrupsioni si probleme të mëdha në Kosovë shfaqen shumë dukshëm në rastin e rekrutimeve publike.

Ai ka ripërsëritur fjalët e ish-ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë  Ruairi O’Conell se suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës, por edhe dështimi i ndonjë procesi rekrutues, emërimet jo meritore do të jenë dështime të Kosovës dhe të institucioneve të saj.

Ambasadori Abbott tha se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës për rekrutimin dhe emërime meritore e profesionale në pozita të larta drejtuese në të kaluarën ka dhënë rezultate të përziera, ku tha se krahas asaj që ka pasur procese rekrutuese të suksesshme, kanë edhe përvojën kur përkundër punës së panelit vet Kuvendi ka emëruar individ që nuk i kanë përmbushur kriteret.


Në raste të tilla ai tha se do të reagojnë siç kanë bërë edhe në të kaluarën, sepse për të një sjellje e tillë institucionale është tejet e dëmshme për Kosovën, por ai tha se është edhe e pandershme në raport me miqtë. Ai tha se uron që kësaj radhe të mos ketë raste të tilla.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përmes këtij partneriteti synojnë që të rrisin transparencën në procesin e përzgjedhjes së personave në pozita udhëheqëse në bordet dhe agjencitë e pavarura dhe të rrisin meritokracinë në këtë proces.

Ajo tha se përmes një procesi transparent e meritor vlerësojnë se do të ketë efekt zinxhiror në rritjen e efikasitetit të këtyre institucioneve të pavarura.

Kryetarja e Kuvendit bëri të ditur se pozitat e parapara janë kryesisht në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës, ku trupat e tyre udhëheqëse dhe menaxheriale zgjidhen nga Kuvendi dhe disa që iniciohen nga Qeveria, por që lista finale votohet në Kuvend.

 

 

Lexo edhe

Video