Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Ahmet Ismaili, thotë se rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë 3.9 për qind, derisa nënvizon se sektori financiar në Kosovë është stabil dhe brenda parametrave rregullator. Përkitazi me këtë, guvernatori Ismaili e pranon se fitimet për bankat komerciale në Kosovë janë të larta, por shton se BQK-ja do të ketë një qasje të re sa përket kapitalizmit të fitimeve dhe konservimit të tyre.
Ismaili në një intervistë për KosovaPress flet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër dhe zbatimin e vendimit për ndalimin e dinarit serb në Kosovë.
Ndërkaq, sa i përket, vendimit për dinarin, ai thotë se kjo është çështje e mbyllur tashmë, dhe se vendimi duhet të zbatohet.
"Kjo çështje për ne konsiderohet çështje e përmbyllur, d.m.th me rregullativin e re që kemi vendosur që është në fuqi, transaksionet nga institucionet e palicensuara nuk mund të kryhen, nuk mund të ketë kalim të kufirit në asnjë valutë pa lejen e BQK-së, pra askush nuk mund të transportojë cash, dhe sigurisht se si mjet pagese është vetëm euro. Banka Qendrore nuk është se monitoron me inspektorë në terren në transaksione private, por ën aspektin e sektorit financiar ekziston vetëm një valutë në pagesa, pra është mjet pagese vetëm euro...Kjo është në të mirën e dhe qytetarëve, mos të harrojmë se kryerja e pagesave me valuta të palejuara, qoftë dinari apo tjetër, ekspozon në mosnjohjen e asaj pagese, pra nuk është e vlefshme ligjërisht, nuk ka asnjë mbrojtje ligjore për të dhe për rrjedhojë mund të përbejë element për ndjekje ligjore”, thotë Ismaili.
"Ne kemi pas një tentativë për komunikim me Bankën Qendrore të Serbisë, komunikime tjera formale nuk ka pasur. Ne konsiderojmë që është çështje e brendshme e Kosovës përfshirja financiare sa më e madhe e qytetarëve tanë, BQK ka marrë masa që numri i institucioneve financiare në veri të rritet, përfshirja financiare atje të rritet. Tashmë kemi 34 institucione banka dhe jo banka që operojnë në veri, kemi edhe një degë të re bankare në Leposaviq. Ideja është që nga funksionimi me institucione ilegale dhe që kanë ekspozuar ndaj rreziqeve te vet qytetarët të kenë alternativa në institucione legale dhe institucione financiare në veri. Jemi të përkushtuar që qasja në financa të jetë për të gjithë qytetarët dhe atje do të trajtohen njësoj sikur të gjithë", nënvizon ai.
Ai flet edhe për nevojën që Kosova të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër.
https://kosovapress.com/vendos-bqk-nga-1-shkurti-pagesat-ne-kosove-do-te-kryhen-vec-me-euro