BQK-ja i quan të sajuara pretendimet për shkelje ligjore

BQK-ja i quan të sajuara pretendimet për shkelje ligjore

Banka Qendrore e Kosovës i ka quajtur të sajuara pretendimet për keqpërdorime  nga ana e këtij institucioni të ngritura përmes një letre anonime e cila u është dërguar të enjten disa institucioneve përfshirë Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“BQK-ja në vijimësi është qeverisur duke respektuar standardet më të larta të profesionalizmit, transparencës dhe llogaridhënies. Çështjet e pretenduara në këtë letër kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të BQK-së dhe vënien e këtij institucioni nën presionin e palëve, të cilët mund të kenë për qëllim realizimin e interesave të ngushta përmes BQK-së”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Aty shtohet se çështjet e ngritura në këtë letër, BQK-ja veçse i ka sqaruar para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe në media.

“Sidoqoftë, ne ftojmë të gjitha organet e zbatimit të ligjit, të cilat mund të jenë të interesuara të trajtojnë këto çështje të hetojnë dhe të zbardhin të vërtetën”, thuhet në komunikatë.

Në letrën anonime pretendohet se në këtë institucion gjatë viteve të kaluara ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare përmes punësimeve të paligjshme si dhe shkelje tjera ligjore.


Në letrën anonime thuhej se “gjatë kësaj periudhe kohore kur Fehmi Mehmeti ka menaxhuar me BQK ka punësuar mbi 70
veta personel të lidhur politikisht me partitë (PDK-LDK-AAK-Nisma)”.

Aty kërkohet që të hetohen ndërhyrjet në shitblerjen e aksioneve te institucioneve financiare (2019), pastaj “ndërhyrjet e jashtëligjshme nga guvernatori dhe zëvëndës-guvernatori në proceset e licencimit të institucioneve financiare dhe një sërë çështjesh tjera.

Lexo edhe

Video