BQK do të apelojë masën e përkohshme për tërheqjen e licencës së kompanisë “Kosova e Re”

Gjykata Themelore e ka pezulluar tërheqjen e licencës së kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. Por, kjo masë e përkohshme do të apelohet nga Banka Qendrore e Kosovës.

Përfaqësues të kësaj të fundit, për tri orë raportim në Komisionin për Buxhet, kanë mohuar të ketë pasur shkelje ligjore ndonëse deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se ka argumente për një gjë të tillë nga ana e BQK-së.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë raportuar përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, ku u tha se Gjykata Themelore e Prishtinës e ka pezulluar tërheqjen e licencës për “Kosovën e Re”.

Anëtari i pozitës, Visar Korenica ka kërkuar detaje të këtij vendimi, duke aluduar në shkelje ligjore nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Një informacion i fundit në lidhje me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të pezullimit të vendimit për marrjen e licencës të “Kosova e Re”. Nëse ka mundësi të na jepni një sqarim konkretisht… Çfarë po ndodh me këtë kompani dhe pse është pezulluar tërheqja e licencës me vendim të gjykatës? A ka ndonjë veprim jo të duhur nga ana e juaj për ardhjen në këtë situatë?”, ka thënë ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se do të apelohet në Gjykatë të Apelit.

“Nuk ka vendim të prerë, është masë e përkohshme derisa gjykata të merr vendimin final. Tash më pastaj, ne e kemi kontestuar këtë masë të përkohshme dhe do të apelojmë në Gjykatën e Apelit”, tha Mehmeti.

Megjithatë, Korenica sërish ka pyetur nëse vendimi i gjykatës bazohet në shkelje e mundshme që janë bërë nga BQK-ja.

“Kjo masë e përkohshme që është vendosur është si shkak që janë gjetur argumente për veprimet apo shkeljet që ju keni ndërmarrë. Nuk mund të vendoset një masë e përkohshme pa pasur argumente nga ana e gjykatës. Cilat janë ato shkeljet sipas gjykatës që ju keni bërë për të vendosur një masë e përkohshme”, ka pyetur Korenica përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës. 


Ndërkaq, zëvendësguvernatori Sokol Havolli shtoi se arsyetimi i gjykatës për pezullimin e tërheqjes së licencës nuk përmend shkelje nga ana e bankës.

“Nuk ka shkelje. Gjykata në arsyetimin e saj thotë se pala është ankuar se në rast të trajtimit prej gjykatës të anës materiale do të vërehet nëse ka shkelje prej BQK-së. Procesi i likuidimit do të dëmtojë interesat e pronarit. Pra, ka thënë që të mos vazhdojë procesi i likuidimit derisa të vendosë gjykata, dhe nëse ka pasur gjykata të drejtë në revokimin e licencës. Mund t’ju përcjellë vendimin sepse nuk është diçka që paraqet material konfidencial, mirëpo nuk ka asnjë shkelje që përmendet në vendimin e gjykatës”, është përgjigjur Havolli.

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të BQK-së, anëtarja e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje Jeta Statovci ka pyetur nëse ka pasur të interesuar për blerjen e kësaj kompanie.

“A ka pasur të interesuar që të blejnë këtë kompani para se ju ta dërgoni në likuidim, me asete dhe po ashtu me obligimet e saj?”, tha ajo.

Zëvendësguvernatori Sokol Havolli nuk ka mohuar se ka pasur të interesuar për blerjen e kompanisë para likuidimit të saj.

“Kemi pasur diskutime edhe aksionari ka kërkuar t’i shtyhet për tre muaj administrimi në fund të prillit të këtij viti. Me qëllim që me ia dhënë mundësinë në kërkim të investitorëve potencial… Ka pasur një palë nga Shqipëria që ka qenë e interesuar, e ka sjellë një kontratë me një kompani të auditimit. Në bazë të asaj kërkese dhe asaj kontrate ku kompania e auditimit ka dashur të bëjë auditimin në emër të palës së interesuar nga Shqipëria ne e kemi shtyrë për tre muaj procesin e administrimit. Pas shtyrjes së procesit, kam pasur takim me palët nga Shqipëria dhe ish-pronarin dhe është dukur interesimi serioz. Por, pas shtyrjes nuk ka pasur më komunikim”, tha Havolli.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, është bërë e ditur se në pjesën veriore të Kosovës, në komunat me shumicë serbe ka ndërmjetës financiarë ilegalë.

 “Ka pasur një në Graçanicë, por është mbyllur nga Policia e Kosovës. Ka qenë para dy vjetësh. Nuk ka në pjesën jugore, por në atë veriore”, është përgjigjur ai.

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, ka pyetur për numrin e kompanive që operojnë në Kosovë me nënkapitalizim, ku u tha se është vetëm një kompani e tillë – “Kosova e Re”.

Lexo edhe

Video

error: