Botman thumbon Milanin, tregon pse zgjodhi Newcastle para kampionit italian

Botman thumbon Milanin, tregon pse zgjodhi Newcastle para kampionit italian

Qendërmbrojtësi holandez Sven Botman ka shpjeguar vendimin e tij për të nënshkruar me Newcastle United dhe jo me gjigantin italian, AC Milan.

Newcastle e konfirmoi të hënën se ka arritur një marrëveshje në parim për të nënshkruar me 22-vjeçarin nga Lille, me njoftimin që vjen së bashku me një foto të mbrojtësit duke mbajtur fanellën e klubit anglez në “St. James’ Park”.

Një ofertë prej 46 milionë eurove u pranua nga Lille dhe Botman ra dakord për kushtet personale për një kontratë pesëvjeçare përpara se të kalonte me sukses testet mjekësore.

Edhe pse qendërmbrojtësi ka qenë një objektiv i Newcastle që nga marrja e tyre në pronësi nga sheikët arab vitin e kaluar, gjërat mund të kishin qenë shumë ndryshe, pasi kampioni i Serie A, Milani, ishte afër nënshkrimit të tij përpara se bisedimet të ndaleshin.


I pyetur për vendimin e tij për të zgjedhur përfundimisht Newcastle, Botman tha:

“Në fund, projekti i bukur i Newcastle United në kombinim me lojën në Premier League ishte vendimtar. Kjo e fundit në fakt ka qenë një ëndërr gjatë gjithë jetës sime. AC Milan gjithashtu më dha një ndjenjë të mirë, por Newcastle United u ndje pak më mirë në fund”, tha Botman për “DeTelegraph”

Botman u pyet gjithashtu për tarifën e madhe që Newcastle do të paguajnë për të, shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për një mbrojtës nga një klub jashtë të ashtuquajturës Top 6.

“Kjo është se si është zhvilluar bota e futbollit dhe si funksionon tregu i transferimeve për momentin”, tha Botman.

“Nuk mund ta ndihmoj këtë. Dhe shpresoj se unë jam ende ai djalë i matur nga Badhoevedorp. Këto 40 milionë euro tregojnë se sa shumë më donte Newcastle United. Kjo më jep besim dhe tani më takon mua ta paguaj këtë”, shtoi më tej ai.

Lexo edhe

Video