Botërori në futsall, Kosova synon të befasojë Holandën e Ukrainën

Kombëtarja e Kosovës këtë të diele do ta fillojë rrugëtimin e saj në Kampionatin Botëror 2024, ku në kuadër të fazës së grupeve zhvillon ndeshje si mysafire kundër Holandës.

Kosova veçse ka filluar stërvitjet për përballjen kundër Holandës, ku po vazhdon të përgatitet në mënyrë që të arrijë synimin për të bërë histori dhe të kualifikohet tutje në këtë Botëror.

Trajneri i Kosovës, Arben Simitçiu për KosovaPress u shpreh i kënaqur me përgatitjet e lojtarëve deri tani, ndërsa tha se kanë edhe katër ose pesë seanca stërvitore për tu përgatitur sa më mirë për Holandën, dhe për të arritur një rezultat i cili do të jetë në favorin tonë.

“Përgatitja do të shihet në Holandë të dielën. Po besoj se jemi të përgatitur mirë dhe ende po përgatitemi. Kemi edhe katër-pesë seanca stërvitore edhe këtu, edhe dy stërvitje i kemi në Holandë. Domethënë besoj që brenda këtyre ditëve do të bëhemi edhe më të përgatitur për lojën e Holandës. Djemtë janë në kondicion të mirë dhe besoj që do të bëjmë çmos për ta arritur një rezultat në favor të tonin, për me pas sukses”, tha Simitçiu.

Simitçiu foli edhe për Kombëtaren e Ukrainës të cilën e konsideron superfuqi, ndërsa tha se loja e tyre është pro-ruse për shkak të sistemit dhe shpejtësisë që kanë lojtarët e tyre. Pavarësisht kësaj, Simitçiu beson në befasi.

“7-8 vitet e fundit është si superfuqi. Është çdo herë në Kampionate Evropiane e Kampionate Botërore, ku inkuadrohet në çerekfinale dhe gjysmëfinale. Është me të vërtetë një shkollë e futsallit pro-rus. Sistem të njëjtë luajnë. Janë lojtarë special me futsall të ulët, që janë të shpejtë, dinamikë, me kondicion ekstrem të mirë edhe këto faktorët që i kanë ata nuk i konvenojnë kombëtareve të tjera. Është shumë e vështirë me i përballu sistemit të tyre dhe shpejtësisë që kanë. Por ekipet kur të përgatiten mirë munden me bo edhe befasi. Ne jemi për këtë punë këtu”, tha Simitçiu.

Trajneri i Kosovës në futsall tregoi se synimi i vetëm është për të kaluar grupin, qoftë nga vendi i parë qoftë nga vendi i dytë. Por, në realitet në vendin e parë do të jetë Ukraina kurse përballja kryesore do të jetë me Holandën për vendin e dytë.


“Synimet prej fillim ashtu siç e kam cek, për me dal prej grupit, nuk ka lidhje se si me dal. A dalim prej vendit të parë apo të dytit, kryesore pretendim është historikisht prapë për ta kaluar edhe një fazë tjetër. Domethënë kur ta shikojmë në realitet, prej vendit të parë duhet me dal Ukraina, ne me Holandën duhet mu kacafyt për vendin e dytë”, tha Simitçiu.

Po ashtu, Simitçiu tregoi se nuk kanë pasur probleme me viza, pasi që janë pajisur me viza një mujore për ndeshjen ndaj Holandës si mysafirë. E njëjta vizë do të përdoret edhe për ndeshjen në transfertë ndaj Ukrainës. Ndërkaq, për shkak të luftës mes Rusisë e Ukrainës, FIFA ka vendosur që ndeshja të zhvillohet në stadium neutral, në Riga të Letonisë.

Krahas trajnerit, për KosovaPress foli edhe lojtari Durim Qorri, i cili e vlerësoi grupin e vështirë, por beson në kualifikim tutje.

“Grupi është i vështirë, më lojë të lehta në këtë grup nuk ka. Kemi kaluar një fazë më lartë, edhe Holanda edhe Ukraina janë shtete të mëdha. Po besoj që kemi me kalu mirë , tu e dit që edhe na si edhe ato dyja që përgatiten, edhe kombëtarja jonë jemi përgatit mirë dhe besoj që kemi për ta kaluar këtë grup”, tha Qorri.

Optimistë në kualifikim tutje u shpreh edhe Mërgim Dervishaj, i cili luan në Bundesligan gjermane me skuadrën e Weilimdorf. Dervishaj tha që çdo gjë po shkon sipas planit dhe se janë duke u përgatitur për ndeshjen ndaj Holandës, ndaj të cilës beson që do të korrim sukses. Pavarësisht se grupi është i vështirë, ai tha se kombëtarja synon në befasi.

“Është e vërtetë se grupin e kemi shumë të vështirë, por na jemi duke u përgatitur për me bo befasi, edhe në Holandë do të shkojmë me këtë synim, nuk ka asnjë dyshim….(06:03) Prej neve lojtarëve mbetet me jap maksimumin edhe pse jo edhe me pas sukses, së pari në Holandë, e pastaj të fokusohemi të loja tjetër kundër Ukrainës”, tha Dervishaj.

Kosova e fillon aventurën në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror 2024 me ndeshje si mysafire kundër Holandës këtë të diele, kurse më 7 tetor zhvillon ndeshje në Riga të Letonisë me Kombëtaren e Ukrainës.

Kosova, Ukraina dhe Holanda gjenden në Grupin 11 të këtyre kualifikimeve. /A.Arifi/

Lexo edhe

Video