“Borrell të ofrojë alternativa, nëse ka shtyrje të afatit për targa duhet të ketë plan të qartë veprimi”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se këtë javë duhet të gjendet një zgjidhje për çështjen e targave, para se të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për të gjobitur ata që ngasin veturat me targa të paligjshme. Njohës të procesit të dialogut vlerësojnë se përveç deklaratave të tilla, Borrell duhet të ofrojë zgjidhje për të dalë nga kriza aktuale.

https://youtu.be/tIZUfy88O_4

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se Borrell duhet të ofrojë modalitete të cilat nuk prekin shtetësinë e Kosovës.

Sipas tij një shtyrje e afatit duhet të bëhet vetëm me një strategji të qartë se çka e pason një vendim të tillë.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë kohë Josep Borrell të ofrojë alternativa dhe zgjidhje dhe incentiva që të dyja palët të ulen në dialog dhe po ashtu të ofrojë një zgjidhje për të dalë nga kjo krizë. Kur them të ofrojë një zgjidhje kjo i be që duhet ta gjejë një modalitet i cili nuk e prek shtetësinë e Kosovës, ndoshta mund të jetë diçka e ngjashme me vazhdimin e stikerave, por duhet të krijohet edhe një lloj garancie që implementimi i marrëveshjes për targat që ka skaduar në Bruksel dhe ajo që derivon nga marrëveshjet e kaluara duhet të implementohet edhe nga qytetarët serb dhe nga pala serbe dhe nuk duhet të ketë ndikime nga Beogradi në këtë fushë”, thotë Fetahu.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi pret kërkesa eksplicite nga Bashkimi Evropian derisa po afrohet data e implementimit të fazës së dytë të planit të qeverisë për targat.

“Është dashur të analizohet shumë më mirë vendimi sesa vetëm të merret nga një këndvështrim ligjor i joni. Tash kërkesat kanë me qenë edhe më eksplicite sepse po afrohet, brenda një jave po themi kushtimisht ne duhet të marrim një vendim, a të vazhdojmë me gjoba apo ta shtyjmë për një kohë të papërcaktuar. Nëse e shtyjmë për një kohë të papërcaktuar prapë mendoj që do të tregohemi më strategjik, këtu nuk ka dobësi, këtu ka interesa politike, të cilat do të jenë në interesin e vendit tonë”, thotë Arifi.


Ndërsa sipas Fetahut nga GLPS, është në të mirën e Kosovës dhe Serbisë, por edhe të kontekstit të tashëm gjeopolitik që të gjendet një zgjidhje qoftë ajo e përkohshme derisa t’i jepet mundësi negocimit në nivel të krerëve të shtetit.

Ai vlerëson se Borrell duhet të jetë më insistues dhe proaktiv në këtë proces.

“Edhe nëse ka një shtyrje duhet të ketë një strategji të qartë dhe duhet të ketë një vijë të qartë se çka do të vjen pas shtyrjes. Nuk duet të shtyhet vendimi vetëm për hir të shtyrjes dhënies kohë pasi që i njëjti problem mund të paraqitet, nëse ka një shtyrje duhet të ketë një plan të qartë nga BE, nga të dyja shtetet një dakordim se si të dilet nga kjo krizë me hapa të caktuar, qoftë kjo me shtyrjen për një kohë të caktuar dhe pastaj implementimin e marrëveshjes siç është apo ndonjë plan tjetër i cili do t’i kënaqte palët dhe do të ofronte zgjidhje”, thotë Fetahu.

Që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm me presidentin e Serbisë, po kërkon shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

“Për zotin Borrell dhe Bashkimin Evropian porosia ime është që të jenë po ashtu të zëshëm edhe me Vuçiqin, i cili drejtpërdrejt është duke bërë një agresion ndaj vendit tonë përmes strukturave politike dhe paralele dhe kriminale dhe kjo qasje po e zbeh besimin e diskutimit dhe diskursit. Pra, porositë nuk janë të barabarta”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Aktualisht, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi po qëndron në Bruksel ku pritet të takohet me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë e planit të qeverisë për targat, ajo e gjobitjes për shoferët që ngasin veturat me targa të paligjshme dhe nuk kanë pranuar t’i konvertojnë ato në targa RKS.

Lexo edhe

Video