Borrell: Sot nuk arritëm marrëveshje por bisedimet do të vazhdojnë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se nuk është arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe të dokumenteve, por sipas tij, palët janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet. Borrell ka thënë se ky nuk është përfundimi, meqë ka ende kohë deri më 1 shtator, duke shtuar se Bashkimi Evropian nuk dorëzohet në këtë proces.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të shoh ringjallje të tensioneve dhe palët do të kenë përgjegjësi për çfarëdo përshkallëzimi në teren.

Sipas shefit të diplomacisë evropiane, takimi i sotëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishte i rregullt dhe i zakonshëm por vjen pas tensioneve në veri të Kosovës.

Çështjet aktuale janë më të rëndësishmet në rendin e ditës, kemi qenë dëshmitar të këtyre tensioneve sa i përket tabelave të regjistrimit dhe të dokumenteve të hyrje daljes për qytetarët midis Kosovës dhe Serbisë, bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të shoh ringjallje të tensioneve në periudhën vijuese dhe palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo lloj përshkallëzimi në teren. Fatkeqësisht nuk kemi arritur në takimin sot, por kjo nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë dhe që diskutimet do të rifillojnë në ditët në vijim, pra ka ende kohë deri më 1 shtator. Unë nuk do të dorëzohem. Nuk ka marrëveshje ditën e sotme por nuk do të ndalemi, nuk do të dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimin, dhe të vazhdojmë diskutimin, ky diskutim do të vazhdojë, në përmbyllje të takimit u bëra të qartë të dy liderëve që anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet synimi përfundimtar për të cilin të dy liderët janë zotuar dhe gjithsesi duhet të gjejnë një mënyrë për të avancuar tutje në këtë rrugëtim dhe hapi i parë në këtë rrugë është që të kërkojnë zgjidhje për situatën aktuale”, ka thënë Borrell.

Borrell ka thënë se nuk është momenti për rritje të tensioneve por për të kërkuar zgjidhje afatgjate për problemet.

Ai ka theksuar se ky takim nuk ishte i rregullt por kishte për qëllim qetësimin e situatës në teren.

Borrell gjithashtu ka thënë se janë fokusuar në rrugën drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij të dy liderët patën mundësi që të bisedonin në hollësi për këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, derisa ka shtuar se tensionet aktuale në teren janë simptoma të një problemi më të thellë.


“Besoj që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti, të dy e kanë kuptuar që nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut në kuptimin e zgjidhjes së këtij problemi, sigurisht që ka dallime të mirënjohura midis tyre sa i përket këndvështrimit të tyre se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë apo si do të duhej të ishin ato, por janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në periudhën vijuese për ta përshpejtuar procesin e normalizimit, pra për të shkuar me shpejtë në këtë rrugë dhe këtë e do ta kem në majën e agjendës sime, bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajcak”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rezultati më i rëndësishëm që mund ta raportoi nga takimet e sotme është që do të vazhdojnë të punojnë në këtë proces në mënyrë të përgjegjshme për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dy palët, ndërsa ka theksuar se nuk ka kompromis për momentin.

Në kryeqendrën evropiane janë mbajtur sot dy raunde të bisedimeve në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Fillimisht në orët e paradites është zhvilluar takimi i parë trepalësh pas së cilit, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajcak, kanë takuar ndaras Kurtin dhe Vuçiqin.

Pas kësaj është zhvilluar edhe një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në praninë e përfaqësuesve të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk ka dhënë deklaratë për media lidhur me takimet.

E pas takimit të fundit, presidenti i Serbisë është larguar nga ndërtesa e BE-së pa dhënë ndonjë deklaratë për media, veçse shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë para gazetarëve se shef i tij do të qëndrojë edhe për një kohë në Bruksel, ndërsa publikut do t’i drejtohet të premten.

Në ndërtesën ku janë mbajtur takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lexo edhe

Video