Bordi evidenton parregullsi në RTK, pozitë e opozitë përplasen për skemën programore

Për shkak të shkurtimit të buxhetit për transmetuesin publik në vlerë mbi 2 milionë euro nuk është planifikuar shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra në këtë medium.

Kështu theksoi kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Megjithëse, kryetari Boletini paralajmëroi se borxhet e shkaktuara në RTK në mënyrë abuzive me produksionet e jashtme duke aluduar edhe në serialin “Çka ka shpija”, do t’i adresojnë në institucionet e drejtësisë, derisa ai u zotua se bordi i ri do të bëjë reformë të thellë në RTK.

Në anën tjetër, në këtë komision pati përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës për projeksionin e skemës programore të transmetuesit publik dhe për menaxhimin e tij.

“Ne shumë shpejt kemi me hapur konkurs dhe kushdo që është i interesuar prej produksioneve të jashtme ka me mundur me aplikuar dhe ka me qenë i barabartë në këtë aspekt. Pra, e gjithë kjo çështje lidhet me punën e borxheve, sepse shumica e këtyre borxheve janë krijuar prej këtyre produksioneve të jashtme. Kështu që forma e kontraktimit të tyre, ne si bord kemi konsideruar që ka qenë abuzuese dhe është shkaktari krijimit të këtyre borxheve, kështu që ne do të kemi kujdes dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes konkurseve publike. Nuk do të ketë marrëveshje në tavolinë që me fillua emisioni të nesërmen. Pra, këto deri tash nuk kanë shkuar përmes konkurseve edhe kur ka pasur një garë. Kjo ka qenë bashkëprodhim i RTK-së, kanë qenë në kontrata për shërbime”, theksoi Boletini. 

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku tha se është shqetësuese mospërfshirja e shlyerjes së borxheve nga RTK-ja.

Sipas tij, kjo mund të krijojë pasoja për RTK-në nga procesi përmbarimor.

“Ju mundeni më thënë që nuk i paguajmi me këto mjete borxhet, por ju vjen përmbaruesi dhe ua merr parat në kategorinë që ajo planifikon. Pra, më mirë është me i paguar borxhet, se sa me marrë një tarifë shtesë për përmbaruesin”, theksoi ai.

Sa i përket numrit të madh të redaktorëve në RTK, Boletini ka përmendur edhe numrin e redaktorëve dhe gazetarëve në Radio Kosova, ku sipas tij, në këtë radio janë të punësuar 40 redaktorë e 39 gazetarë, ose siç tha ai, numri i përgjithshëm i redaktorëve në RTK arrin në 120, ndërkaq i gazetarëve rreth 100.

“Ne kemi dyshime që janë bërë në jo ligjore sa i përket procedurave të brendshme të RTK-së. Sepse ka avancime që nuk janë nënshkruar prej kryeredaktorit dhe prej drejtorit të televizionit. I kemi kërkuar ushtruesit të detyrës t’i evidentojë të gjitha këto raste dhe nëse ka pasur shkelje të procedurave, ata do të degradohen. Dikush kur avancohet ne nuk mundemi apriori me degradua, por kemi me iu jep punë për me bërë punë në terren”, tha ai.

Për këtë ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj iu ka dalë në mbështetje kolegëve të tij redaktorë, duke arsyetuar punën e redaktorëve në transmetuesin publik.

“Ndoshta mund të kemi dilema pse kaq shumë, pajtohem edhe vet që janë shumë, por në anën tjetër ajo çfarë është dëshmuar në zgjedhjet e fundit nacionale, shumica e redaktorëve kanë qenë në terren, kanë raportuar. Do të thotë se nuk kemi të bëjmë me refuzim të punës nga ana e tyre ose dembelë. Ajo që realisht kërkohet është një lloj ristrukturimi i brendshëm”, u shpreh Ahmetxhekaj.

Ndërkaq, deputeti nga PDK-ja Ferat Shala ka kritikuar menaxhmentin dhe bordin e ri të RTK-ë për siç tha ai mos pasurimin e skemës programore në këtë kohë të pandemisë.

Shala veçoi mos projektimin e transmetimit ndeshjeve sportive të Kosovës dhe Shqipërisë në eliminatorin e evropianit dhe botërorit.

“Me respektin maksimal merruni me të kaluarën, mos u ndalni, por kthehuni të sotmes, por në rrethana të pandemisë, arsimi, kultura, sporti mungojnë në projeksionin e juaj. Është shqetësim për qytetarët, andaj këtu duhet të jenë më të kujdesshëm në projeksion. Dhe një pyetje a ka ndodhur me pasur ose me vendosur mjete financiare RTK-ja dikujt që ndoshta edhe gabimisht i kanë shkuar në konto?”, theksoi ai.


Për çështjen e transmetimit këtë ka dhënë një sqarim kryetari bordit, Boletini, i cili tha se nuk ka para.

“Folëm për borxhe dhe çështja të tjera. Arsyeja pse nuk ka më shumë sport është se s’ka para”, tha ai.

Ndërkohë, në këtë Komision në krah bordit dhe menaxmentit të ri të RTK-së, i doli deputeti i VV-së Enver Haliti, i cili akuzojë pushtetin e kaluar për gjendjen e krijuar në këtë televizion publik.

“Si është gjendja në RTK e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, e dinë edhe kolegu Ferati. E tash nga e njëjta parti që e kanë sjellë RTK-në gati zhbërje, në zhdukje, e tani me kërkuar dhe me dhënë ide e vizion se si me u zhvillua RTK-ja, është e mundimshme me u dëgjuar si kolegë që jemi në komision. Nuk mundemi me kërkuar prej menaxhmentit dhe bordit sot me bërë magji, se s’e kanë shkopin magjik me i zgjidhë të gjitha problemet që janë akumuluar me vite të tëra”, deklaroi Haliti. 

Pas kësaj deklarate nisi përplasja e ndërmjet kryetarit të Komisionit për Buxhet, Armend Muja, deputetit Ferat Shala e Enever Haliti gjatë raportimit të bordit të RTK-së në këtë Komision, ku nuk iu dha fjala për diskutim këtyre dy deputetëve nga kryetari Muja.

“Muja: Nuk mund të debatoni derisa kemi mysafir këtu, mbarojë.

Haliti: kryetar të lutem.

Muja: Unë e kam të drejtën po e ndërpres këtë debat.

Haliti: Unë e kam të drejtën.

Muja: Mendoj se u dha një deklaratë, u kuptua mesazhi… 

Shala: Kryetar të lutem një sekond,

Muja: Zotëri Shala unë e caktoj kush me fol.

Shala: Nuk e thash që s’ka emisione.

Muaja: Ekziston një farë rendi kur flitet.

Shala: S’mundesh t’i me ma ndalë fjalën ti mua, deputet je, ti veç menaxher i situatës. Unë kurrë nuk ta ndali fjalën kur je në komision dhe mos tento. S’mundesh, me ma ndal. E tha një të pavërtetë që nuk e thash unë. 40 minuta e mbajte fjalën veç vet, edhe ne jemi pjesë e këtij sesioni. 30 pyetje i ke bërë, çka po mendon që jemi ne këtu”.

Ndërkohë, Komisioni nuk pati kuorum për miratimin e raportit të shpenzimeve për periudhën tetor-dhjetor 2021 në RTK.

Lexo edhe

Video