Boletini: Ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe performancë më të mirë të RTK-së

Boletini: Ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe performancë më të mirë të RTK-së

Në Komisionin për Buxhet, gjatë shqyrtimit të Raportit të Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022, kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini theksoi se për dallim prej viteve të kaluara në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performacë më të mirë të RTK-së.

“Për dallim nga vitet e kaluara, kemi një pasqyrë më ndryshe të pasqyrave financiare. Kemi punuar me një logjikë racionale të kursimeve në mediumin publik, ku 79 mijë euro kemi kursime në muaj. Në kuadër të kursimeve të shpenzimeve, disa menaxherë që kanë qenë me paga të larta, ato janë zbritur. Këto mjete të kursimeve janë bartur për shërbime tjera. Megjithatë sfidë mbetet nga përmbaruesit privatë, të cilët kërcënojnë RTK-në për ngrirjen e llogarive bankare për shkak të borxheve”, tha ai.

Duke iu përgjigjur deputetes Duda Balje sa i përket kontratave me shërbime të veçanta, Boletini theksoi se ka ende punëtorë në RTK me kontratë mbi vepër. Sipas tij, janë dy kontrata të tilla, për prezantuesit e lajmeve Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu.

Megjithatë ai këto i ka arsyetur për shkak të angazhimit të tyre për dy-tri orë punë në javë. Të dy prezantuesit janë në prag të pensionimit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, këta dy prezantues i ka quajtur ikona për vendin, dhe sipas tij ka qenë e nevojshme që të angazhohen tutje në mediumin publik.

Ndër të tjera Ahmetxhekaj theksoi se ka pasur politikanë dhe ish-deputetë që kanë arritur të punësojnë punëtorë në RTK, ka pasur raportim dhe është e faktuar, për çka tha se janë intervistuar nga prokuroria.


Deputeti Visar Korenica në komisionin për Buxhet dhe Financa gjatë shqyritimit të raportit të shpenzimeve, ngriti çështjen e një lëshimi në mediumin publik më 1 prill.  Ai ka pyetur drejtuesit e televizionit publik se a është e vërtetë dhe a kanë marrë masa për lajmin e rremë në RTK më 1 prill për emërimin e Edi Ramës në krye të NATO-s.

Për këtë, kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini pranoi se ka ndodhur një lëshim i tillë dhe tha se ka kërkuar të merren masa.

“Kur ka ndodhur rasti (i publikimit për presidenten Vjosa Osmani), i kam shkruar një email u.d drejtorit dhe i kam kërkuar që të merren masa të rrepta për atë lëshim. Ky është një standard i vendosur dhe do të aplikohet në të gjitha rastet në të ardhmen. I njëjti është përdorur edhe në rastin e 1 prillit. Pra ka qenë një skandal që ai lajm ka dalë në televizion”, tha ai.

Për këtë lëshim, u.d i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se ka pasur një dorëheqje nga u.d i kryeredaktorit, Enver Bajrami.

Sa i përket borxheve të RTK-së, kryetari i Komisionit Armend Muja përmendi një prej borxheve të RTK-së ndaj një restoranti në Prishtinë, mbi 2 mijë euro.

“A ka mundësi me hëngër bukë borxh nga RTK-ja, a?”, tha Muja, për çka nuk mori përgjigje nga drejtuesit e këtij mediumi.

Komisioni po vazhdon ta shqyrtojë këtë raport të shpenzimeve në RTK për periudhën janar-mars 2022.

Lexo edhe

Video