Bllokohen mijëra lëndë përmbarimore për pagesa nga Ministria e Financave
Tema
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Mijëra lëndë për pagesa sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore të bizneseve presin me muaj të tërë të ekzekutohen nga Ministria e Financave, përkatësisht nga Thesari.

Vonesat e ekzekutimit të mjeteve financiare për kreditorët po konsiderohet shqetësuese nga përmbaruesit privat dhe bizneset.

Ministria e Financave, e drejtuar nga Hekuran Murati, mësohet se ka probleme me sigurim të fondeve për të kryer pagesat ndaj kompanive ndaj të cilave shteti ka obligime.

KosovaPress, nga burime të saj, kupton se lëndët të cilat shkojnë në Thesar nga përmbaruesit vonojnë deri në 60 ditë për t’u ekzekutuar.

Ky burim i ka thënë KosovaPress se lëndët shkojnë me radhë sipas datës së pranimit, por ka probleme me sigurimin e fondeve.

Po ashtu, një çështje tjetër që vonon kryerjen e obligimeve të shtetit është edhe mungesa e zyrtarëve ligjorë.

KosovaPress ka mësuar se Thesari ka vetëm dy zyrtarë ligjorë ndërsa është një numër madh i lëndëve përmbarimore.

Edhe procedimi i tyre me vonesë po shkakton pastaj vonesa në pagesat e kompanive.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat në Kosovë, Arben Gashi ka thënë për Kosovapress se mos ekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore nga Ministria e Financave, në këtë rast nga Thesari. Sipas Gashit, ligjërisht Thesari do të duhej të ekzekuton mjetet financiare brenda 24 orëve.

Mirëpo, nga kjo ministri nuk janë përgjigjur për Kosovapress sa i përket bllokimit të ekzekutimit të mjeteve financiare për kreditorët.

Kreu i Odës së përmbaruesve, Gashi ka theksuar se vonesat e ekzekutimit të lëndëve në Thesar janë shqetësuese, dhe sipas tij, kreditorët ligjërisht kanë të drejtë të kërkojnë kamatën prej 8 për qind për këto vonesa.

“Vonesat që po ndodhin në Thesar janë shqetësuese për ne si përmbarues, po besoj se do të duhej të ishte shqetësuese edhe për vetë Departamentin e Thesarit, por edhe për vetë Qeverinë. Sepse, nëse përmbaruesi e ka dërguar një lëndë në Thesar dhe zyrtarët e saj nuk vërejnë që ka ndonjë gabim ose lëshim, atëherë lënda duhet me u ekzekutua, sepse aplikohet kamata. Shteti ynë një pjesë të mjeteve financiare po e humbë për shkak të kamatave të panevojshme”, thotë Gashi.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Gashi thekson se numri i lëndëve përmbarimore që presin të ekzekutohen nga Thesari është i madh. Ai thotë se sipas dispozitat ligjore, mos ekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore nga Thesari.

Gashi thotë po ashtu se për vonesat e ekzekutimit të lëndëve nga Thesari, bizneset kanë humbur durimin.

Kompanitë të cilat kanë vendimet përmbarimore nga gjykatat në Thesar ankohen se po dëmtohen nga Thesari në këtë rast nga Ministria e Financave.

Parapa kamerave disa prej biznesmenëve kanë theksuar se derisa vetë këto institucione që kërkojnë nga kompanitë private t'i përmbushin obligimet ndaj ATK-së në afatet kohore, Ministria e Financave shkelë ligjet në fuqi për ekzekutimin e lëndëve përmbarimore.

Bizneset që janë palë me këto vendime, ankohen po ashtu se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po përdorë standarde të dyfishta, pasi që një biznes nëse nuk  kryen obligimet tatimore në ATK në afatet e parapara, ndëshkohet edhe me bllokim të llogarive bankare.

Për veç kësaj, sfidë tjetër për kreditorët, mbetet edhe vonimi i shqyrtimit të lëndëve përmbarimore në Gjykata. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024