Bllokada në veri vështirësoi edhe lëvizjen e zyrtarëve doganor, bie importi nga Serbia

Drejtori i përgjithshmen i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu theksoi se ky institucion deri më sot ka inkasuar mbi 1 miliard euro ose 33.5 për qind më shumë të hyra se në vitin paraprak gjatë periudhës janar-shtator.

Drejtori Llugaliu në një konferencë për media, ka thënë po ashtu se tensionet në veri për shkak të reciprocitetit ndaj targave serbe kanë krijuar vështirësi për logjistikën dhe lëvizjen e zyrtarëve doganor, ndonëse siç shprehet ai zyrtarët doganorë kanë operuar në vazhdimësi pa ndonjë ndërprerje dhe vazhdojnë të jenë në detyrë.

“Është e vërtet se ka pasur vështirësi logjistike edhe të lëvizjes së ndërrimit të zyrtarëve, mirëpo zyrtarët doganorë kanë operuar në vazhdimësi pa ndonjë ndërprerje. Kanë qenë pjesë e ndërrimeve që janë bërë bashkë me policinë e Kosovës. Kështu që kanë qenë gjatë gjithë kohës e do të vazhdojnë të jenë në detyrë dhe vendin e punës së tyre”, tha Llugaliu.

Llugaliu theksoi se përkundër që është e vështirë për ta vlerësuar një trend real, konsiderohet se ndikimi i reciprocitetit për targa në raport tregtar me Serbinë dhe bllokimi i rrugëve në veri, kanë shënuar rënie në importet e mallrave nga Serbia.

“Është pak e vështirë që brenda një jave me nxjerrë një trend real, por ka qenë një ndikim ndoshta rreth 10 përqind të rënies së importeve, por edhe transiteve që kalojnë përmes Serbisë dhe vijnë mallrat prej vendeve të treta”, theksoi Llugaliu. 


Drejtori i Doganës, Llugaliu duke folur për suksesin e të hyrave buxhetore për këtë vit, theksoi edhe eksportet e mallrave kanë shënuar rritje 68 për qind, krahasuar me vitin 2020.

“Deri në përmbylljen e muajit shtator, ne arritëm që të mbledhim taksat në vlerë 1 miliard. Kjo paraqet një sukses kur e krahasojmë me vitin e kaluar meqë kemi të hyra prej 33.5 përqind më shumë të mbledhura, e cila pa dyshim se është mundësuar nga rritja e gjithmbarshme ekonomike në vendin tonë. Po ashtu Kosova ka shënuar rritje të eksportit prej 68 përqind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ka mundësuar që të kemi rritje të potencialit të investimeve publike nga Qeveria”, theksoi Llugaliu.

Llugaliu ka folur në këtë konferencë edhe për luftimin e ekonomisë informale dhe korrupsionit.

Gjatë këtij viti, Dogana ka suspenduar nga puna 9 zyrtarë, derisa dy janë të arrestuar për dyshimet e përfshirjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dogana, sot ka lansuar edhe portalin me një gamë të gjerë të aplikacioneve.

Lexo edhe

Video

error: