Blinken falënderon Qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e afganëve

Blinken falënderon Qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e afganëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e refugjatëve afganë.

Ai në një postim në Twitter ka dhënë detaje nga biseda që sot kishte me  kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Në bisedën time sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e falënderova Qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e afganëve në rrezik. Qytetarët e Kosovës, shumë prej të cilëve dikur refugjatë vetë, sërish kanë demonstruar gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, ka thënë diplomati amerikan.


Ndryshe, kontaktet e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të SHBA-së janë shpeshtuar që prej se në Kosovë kanë filluar të arrijnë grupe të afganëve që janë evakuuar nga Afganistani.

Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris, ku kjo e fundit shprehu mirënjohjen e SHBA-së për ndihmën e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.

Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e SHBA-së për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurt nën sundimin e talebanëve, të cilët e morën kontrollin e Afganistanit pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe vendeve aleate.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.

Lexo edhe

Video

error: