Blerim Isufaj më pranë detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Blerim Isufaj më pranë detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme ankesat e dy prokurorëve në lidhje për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit me çka i hapet rruga dekretimit nga presidentja të prokurorit Blerim Isufaj për këtë pozitë.

Në njoftim thuhet se Kushtetuesja shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet e parashtruara nga prokurorët Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti që të dy kandidatë për kryeprokuror të Shtetit.

Kushtetuesja konstatoi se dy prokurorët që janë ankuar, nuk i kanë shterë të gjitha mundësitë ligjore, para se rastin ta dërgojnë në Kushtetuese duke i shpallur kërkesat e tyre të papranueshme mbi baza procedurale.


Fazliu e Hamiti kontestojnë kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilin propozohej që prokurori Blerim Isufaj të zgjidhet në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Blerim Isufaj në konkursin e shpallur ka marrë pikët maksimale dhe emri i tij është dërguar nga KPK për dekretim, por presidentja Osmani ka deklaruar se nuk do të marrë asnjë vendim pa u qartësuar rasti nga Kushtetuesja.

Lexo edhe

Video