Bjellorusia ndalon importin e mallrave perëndimore dhe fluturimet e linjave ajrore nga BE e Britania

Bjellorusia ndalon importin e mallrave perëndimore dhe fluturimet e linjave ajrore nga BE e Britania

Bjellorusia njoftoi sot se ka vendosur kufizime hakmarrëse në fluturimet e linjave ajrore nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe dhe se po ndalon importin e mallrave perëndimore nga vendet që vendosën sanksione ndaj saj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bjellorusisë njoftoi se ndalimi i importit është një përgjigje ndaj “presionit të paligjshëm të sanksioneve të jashtme që synojnë minimin e sovranitetit të Bjellorusisë dhe përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve bjellorusë”.

Qeveria bjelloruse nuk ka publikuar ende një listë të mallrave perëndimore, importi i të cilave është i ndaluar.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja vendosën sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve, organizatave dhe kompanive bjelloruse në të njëjtën kohë javën e kaluar.


Brukseli ka vënë në shënjestër individë dhe subjekte që BE-ja i akuzon se kanë marrë pjesë në një “sulm hibrid”, pra dërgimin e emigrantëve aziatikë nga Bjellorusia në kufijtë e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

BE gjithashtu ka ndaluar hyrjen dhe ka ngrirë fondet e 17 personave të tjerë nga Bjellorusia, duke përfshirë roje kufitare dhe zyrtarë ushtarakë, zyrtarë qeveritarë dhe gjyqtarë.

Masat prekën gjithashtu linjat ajrore bjelloruse, duke përfshirë Belavia-n shtetërore, dhe grupet turistike, të cilat BE-ja i akuzon se ndihmuan në sjelljen e emigrantëve në Bjellorusi, në mënyrë që ata të mund të lëvizin më pas në BE.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, deklaroi sot se sanksionet nuk do të sjellin dëme të konsiderueshme.

Ai tha se Bjellorusia kishte arritur të mbështesë rritjen ekonomike. Ekonomia ra me 0.9 për qind vitin e kaluar, por në vitin 2021, sipas parashikimeve të tetorit të Bankës Botërore, produkti i brendshëm bruto pritet të rritet me 1.2 për qind.

Lexo edhe

Video