Bizneset me humbje të mëdha, Rukiqi kërkon nga Qeveria përkrahje të menjëhershme

Masat e reja për parandalimin e COVID-19, po hasin në kundërshti nga komuniteti i bizneseve dhe shitësve me pakicë. Këta të fundit po thonë se vetëm gjatë ditës së sotme kanë pësuar dëme me miliona euro, meqë shitja e produkteve të ndryshme ishte paraparë për vikend, ndërkaq, vendimi i qeverisë ishte i vonshëm, dhe i pa koordinuar me bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi po i sheh me çudi këto vendime, meqë sipas tij qytetarët po lejohen të kalojnë kufirin, dhe mjetet që kanë të shpenzojnë në vendet e rajonit.

“Ne konsiderojmë që sot janë të mbyllura mbi 20 mijë biznese në vend, nga këto masa janë prekur këto biznese, të cilat nuk do të funksionojnë gjatë këtij vikendi. Dhe të cilat normalisht do të kenë dëme në shifra që mund të mbërrijnë në 10 milionë deri në 15 milionë euro brenda një dite. Ajo që është më e çuditshme në kësi raste është që kjo pjesë e mjeteve që nuk po shpenzohen këtu, në këtë vikend do të shpenzohet në vendet e rajonit. Një pjesë e madhe, sepse është parë edhe nga pikat kufitare edhe nga kronikat e mediave që një pjesë e mirë e qytetarëve tanë kanë zgjedhur që vikendin ta kalojnë në vendet e rajonit”, tha ai.

Në një konferencë pasditen e së shtunës, Rukiqi tha se këto masa kanë hasur edhe në ‘telashe’ në implementimin e tyre.


“Mund të duket edhe e çuditshme por edhe qesharake, mirëpo gjatë gjithë ditës nuk kemi arritur të definojmë çka është market i vogël. Pra, asnjë institucion zbatues as interpretues i ligjit nuk ka qenë në gjendje me ardh në definicionin se çka është market i vogël. Dhe si pasojë e kësaj kemi mijëra euro gjoba. Përveç asaj që nuk po lejohen me punu, shto këtu edhe gjobat, mijëra euro dëme te këto biznese. Që nëse lexohet saktë vendimi, logjikisht duhet me punu. Mirëpo në interpretim e zbatim në terren, diku lejohet me punu, diku nuk lejohen”,
shtoi ai.


Rukiqi ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria e Kosovës që të miratojë edhe një përkrahje financiare për këto biznese që po prekën nga masat që po merren si parandalim i përhapjes së COVID-19.

Rukiqi theksoi se këto masa janë lajmëruar vonë, dhe se një pjesë e madhe e produkteve janë hedhur në mbeturina. Një gjë të tillë e tha edhe drejtoresha e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj, e cila shtoi se me numri i humbjeve është duke shkuar edhe në miliona euro.

“Numrat janë duke shkuar në miliona euro, tu e marrë për bazë për shembull produktet e bylmetit, produktet e mishit, ose produkte të tjera për të cilat janë bërë planifikimi për shitje gjatë vikendit, e tash veç se duhet me u hudh. Vendime të tilla pa koordinim paraprak dhe duke mos u koordinuar mbështetja financiare, pa dyshim që do të shfaq shqetësim dhe panik. Jo vetëm tek bizneset por në të njëjtën kohë edhe tek qytetarët. Për këtë arsye i bëj lutje Qeverisë së Kosovës që të jenë më gjithëpërfshirës në këto vendime edhe të njëjtën kohë marketet pa dallime, e vogël, e mesme e madhe duhet me punu. Dhe tregtia me pakicë duhet me punu, gjithmonë duke marrë për bazë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, theksoi ajo.

Ndërsa, përfaqësuesi i komunitetit të biznesit, Betim Humolli theksoi se në rast se kërkesat e tyre nuk zbatohen, ata do të organizojnë edhe protesta

“Patjetër se ne duhet të marrim edhe hapa tjerë. Duhet të shohim mundësinë, duamë të koordinojmë hapat, planet sepse nuk mund të jemi vetëm zbatues, ose çfarë do që ndërmerret me neve, ne të mbyllem dhe kurdo të na hapin. Edhe ne kemi shumë obligime, kemi shumë punëtorë. Gjitha këto biznese nuk e kanë zvogëluar për asnjë punëtorë, numrin e punëtorëve. Ne duhet gjithsesi të shkojmë atëherë në protestë, ndoshta edhe mos dëgjueshmëri”, ka deklaruar ai.

Aktualisht, hyrje-daljet gjatë fundjavës ndalohen në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime. Hyrjet dhe daljet në këto qytete ndalohen nga e premtja në orën 20:00, deri të hënën në orën 05:00.  Në këtë periudhë do të jenë mbyllura edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Lexo edhe

Video