Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenča.
Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon, objektivat e Qeverisë dhe të arriturat në tri vitet e fundit.
Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë.
“U diskutua dhe mbi procesin e dialogut, ku zëvendëskryeministri e njoftoi Ndihmës Sekretarin Jenča me zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër”, thuhet në njoftim.
Ndihmës Sekretari Jenča po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dy ditore.