Bislimi raporton për takimet në Bruksel: Nuk ka pasur dialog, vetëm informacion nga Lajçak

Bislimi raporton për takimet në Bruksel: Nuk ka pasur dialog, vetëm informacion nga Lajçak

Me debate dhe përplasje është përcjellë raportimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD). Ky i fundit ka raportuar për vizitën në Bruksel, për çka insistoi se nuk ka qenë dialog, por informacion nga emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak. Bislimi tha se nga ky i fundit kanë marrë rreth 300 faqe dokumente, e që nga qeveria e kaluar kanë gjetur dokumente të cilat tregojnë më shumë çështje teknike. Anëtarët e opozitës e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se është “marre” të thuhet se nuk kanë dokumente të trashëguara nga qeveria e kaluar.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se për vizitën dhe takimet në Bruksel u ka dërguar mëngjesin e sotëm raport me shkrim, krerëve të shtetit, kryetarëve të partive dhe atyre të komisioneve përkatëse. Por një gjë të tillë e kanë mohuar anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka deklaruar se takimet në Bruksel kanë qenë informacion e jo vijimësi e dialogut.

“Nuk ka pasur dialog, por ka pasur nevojë që ekipi jonë të informohet në detaje për atë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve në Bruksel në fazën e dialogut, në fokus më të madh në periudhën e qeverisjes Hoti. Në momentin kur kemi marrë detyrën si qeveri e re, ne kemi gjetur zero dokumente për dialogun dhe kjo ka qenë shumë shqetësuese edhe hapi i parë që kemi marrë ka qenë grumbullimi i informacioneve nga burime të ndryshme. Unë kam takuar OJQ të ndryshme të cilat kanë qenë aktive në dialog, të cilët kanë pasur dokumente sporadike të cilat u kanë ardhur në duar dhe m’i kanë dërguar. Po ashtu kam takuar ish-negociatorët, ose personat që kanë qenë në negociata. Kam takuar fillimisht zotëri Veton Surroin, e pastaj Blerim Shalën dhe së fundmi zotëri Skender Hysenin. Kam provuar të takojë edhe zonjën Edita Tahiri, ajo ka refuzuar të takohet me argumentin se çështja është shumë e ndjeshme dhe nuk preferon të ketë takime. Edhe pse për mua është argument i paqëndrueshëm, çështja mund të jetë e ndjeshme me gazetarë apo mediat, mirëpo jo në raport me ish-negociatorin, me negociatorin”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi tutje tha se kanë kontrolluar edhe në cepet e qeverisë, por që nuk kanë arritur të gjejnë dokumente.

Bislimi: Kanë hulumtuar në cepin e katit të dytë dhe të tretë
(Video) 48:46’…

“Ne e kemi dërguar edhe asistenten edhe shefen e kabinetit të kryeministrit, kanë hulumtuar çdo cep të katit të dytë edhe të katit të tretë, mos rastësisht janë fshehur diku nonjë dosje”, ka deklaruar ai.

Por, për këtë anëtarja e opozitës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Time Kadriaj tha se është “marre” të thuhet, madje kërkoi që të “hallakasin” e të gjenden këto dokumente. 
“Është marre me shku me thënë që nuk kemi gjet asgjë. Ti mundesh me thënë që zbrazët me pru letrën edhe me thënë qe qitu pa pas kurrgjë hiç. Edhe të detyrohesh ti të shkosh në Bruksel edhe me marrë raporte se çka është dialoguar. Nuk është transparente sepse gjithë procesit, sa herë që kryeministri ka ardhur ose kush do që ka shkuar kanë ardhur edhe kanë raportuar[…]Hallakatni në arkiva”,
tha Kadriaj.

Më tej, Bislimi ka shtuar se Lajçak ka qenë i gatshëm që të dorëzojë të gjitha dokumentet që ka, ku me të njëjtin ka pasur dy takime. Ai në komision ka treguar edhe dosjen që ia ka dhënë emisari për dialog me mbi 200 faqe. Por që nga qeveria tha se i është dorëzuar një dokument i cektë për gjithë ecurinë.

I ashpër në pyetje është treguar partiaku i tij, Haki Abazi. Kryetari i këtij komisioni, ka insistuar në lidhje me atë se a është përmendur asociacioni i komunave serbe nga Ana Maria Boura, dhe a është pranuar nga paraardhësit. Por, që Bislimi tha se e njëjta nuk ka dhënë opinione të veta.


“Nuk është çështje opinionesh. Pyetja ishte specifike. A e ka përmendur si pjesë të reflektimit zonja Borua[…]nuk është me rëndësi a ka dhënë mendim, ajo ka përfaqësuar institucion aty. A ka thënë që është pranuar asociacioni me kompetenca ekzekutive gjatë së kaluarës”, ka pyetur ai.

Përplasjet mes anëtarëve të opozitës dhe Bislimit kanë vazhduar edhe më tej.

Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se nuk e ka të qartë cilësinë e Besnik Bislimit për dialog.

“Kërkoj falje që po të pyes, por desha ta di, ju jeni drejtues i bisedimeve i caktuar nga qeveria. Apo keni shkuar të zëvendësoni kryeministrin, apo si është puna se nuk e kam të qartë cilësinë që keni. Meqenëse ju keni qenë shumë atje, por përgjegjësinë politike duhet ta ketë njeri. Cila është në kuadër të delegacionit për bisedime. Sepse unë aq sa kam dëgjuar nga kryeministri, ai ka thënë që nuk kanë filluar bisedimet, bisedimet do të fillojnë në muajin qershor dhe temat për të cilat duhet të fillojnë dhe të përgatiten cilat janë ato?”, ka pyetur Haliti.

Por, për këtë ka reaguar Bislimi duke i thënë që të përgatitet më mirë.
“Duhet me u mësua çka ka obligim, e çka nuk ka obligim. Nuk është çështje e jotja çka dëshiron ti me bo. Është çështje e obligimeve tuaj që ke si ministër, zëvendëskryeministër, apo si dikush që ka ardh me raportu. Ne nuk jemi republikë qeveritare, jemi republikë parlamentare. Meqenëse jemi republikë parlamentare, ti je në kontroll tonin. Ti ki nevojë për vërejtje.
Bislimi: Është mirë me u përgatit pak për seancë, ju aspak nuk e dini se çfarë roli keni ju. Është ardhur në raportim me m’u nuk e dinë çfarë roli jam. Unë jam zëvendëskryeministër i Kosovës, i autorizuar për dialog, a mjafton kjo. Është dashur ta dini prej ditës të parë kur është formuar qeveria”,
është përgjigjur ai.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj nuk ka pranuar asnjë material nga Besnik Bislimi. Madje ka kundërshtuar se takimet në Bruksel nuk kanë qenë vijimësi e dialogut. Më tej, shtoi se nuk është detyrë e emisarit Miroslav Lajçak që të informojë ekipin negociator.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi ka përsëritur se dialogu do të vazhdojë në pjesën e dytë të muajit qershor, duke theksuar se nuk do të ketë dialog teknik, por politik. Me këtë rast ai ka përmendur disa nga parimet e dialogut, duke theksuar se do të ketë bisedime për marrëveshje të përgjithshme e cila është ligjërisht e obligueshme, nuk preket sovraniteti territorial, nuk diskutohet për çështjet e brendshme dhe garanci për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Anëtarja e opozitës, Time Kadriaj ka pyetur se çfarë mund të mendojë Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave, ndërkohë që krerët e shtetit flasin për korrupsion dhe krim.

“Duhet me pyet BE-në, unë nuk e di se çfarë mund të mendoj BE për liberalizim. Ata mua më kanë thënë që vendimet i marrin në bazë të raportimeve që departamentet brenda ministrisë së Punëve të Brendshme i përgatisin për ministrin e Punëve të Brendshme, të Punëve të Jashtme, presidentin e Francës, jo deklaratat tona politike. Kishte me qenë naiviteti më i madh me thënë se në Kosovë nuk ka krim dhe korrupsion[…]
Kadriaj: Naiviteti më i madh i krerëve shtetërorë.
Bislimi: Në rregull po ai i ka fituar zgjedhjet me atë naivitet, duhesh me kuptu këtu. Edhe naiviteti tjetër, ju jeni 7 përqind, e ne 50 përqind”,
ka deklaruar Bislimi.

Sa i përket liberalizimit të vizave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Holanda dhe Franca janë dy vende të cilat e kundërshtojnë një gjë të tillë, por jo vetëm. Sipas tij, ani pse jo publikisht, thuhet se ka kundërshtime edhe nga Belgjika e Danimarka.

Anëtarët e komisionit kanë pasur pakënaqësi edhe për ftesën që i është bërë Bislimit për raportim, meqë sipas tyre kjo nuk është bërë nga kryetari Haki Abazi me miratim me anëtarët e komisionit. Më tej, raportimi ka vazhduar me dyer të mbyllura, me kërkesë të Bislimit, meqë siç tha ai, ka çështje të ndjeshme.

Lexo edhe

Video

error: