Bislimi: Qeveria ka plan ambicioz për integrim evropian – opozita kritikon për mos miratimin e Ligjit të pagave

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi ka thënë sot Qeveria ka plan ambicioz për integrimin evropian të Kosovës gjatë këtij vit.

Numri dy i qeverisë, Bislimi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian, për Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026, theksoi se në dokumentin prej 300 faqesh janë paraparë 229 masa, të cilat presin të zbatohen deri në fund të vitit.

Bislimi theksoi se prej këtyre 229 masave 41 janë projektligje, të cilat do të hartohen dhe miratohen në nga qeveria brenda këtij viti. 

“Si qeveri kemi vendos plan ambicioz për këtë vit, që ka të bëjë me integrimin evropian, është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, është aplikimi për marrjen e statusit të kandidatit me BE-në. Shpresojmë në kompletimin final të liberalizimit të vizave. Mirëpo për të gjitha procese, ne duhet që detyrat tona të shtëpisë t’i kryejmë ashtu siç kemi premtuar në raport me partnerët tanë të BE-së. Nuk ka mënyrë më të mirë se sa me dokumentuar përkushtimin tonë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian se sa të implementojmë në përpikëri dhe në masë të madhe MSA-në, ashtu edhe ERA 2”, theksoi Bislimi. 

Kryetarja e Komisionit Rrezarta Krasniqi ka kritikuar zëvendëskryeministrin Bislimi dhe VV-në për mos miratimin e projektligjeve në kuvend, ku tha se vetëm 19 janë miratuar nga 186 projektligje.

“Sa i përket projektligjeve që kanë mbetur në kuvend nuk është faji te Komisioni, i kemi kaluar të gjitha, faji është te qeveria, sepse shumicën e keni në kuvend. Në plan programin e qeverisë është paraparë që brenda vitit t’i kaloni 186 projektligje, për një vit kanë kaluar vetëm 19 projektligje, jo 36. 19 për qind e programit është zbatuar. Për këtë nuk është faji te opozita. Është faji te shumica që keni në kuvend. U pa te Kodi civil se kush i ka numrat dhe kush si ka”, theksoi ajo.

Deputetja Blerta Deliu ka kërkuar nga Bislimi të bëhet ‘mësiti’ që ministrat Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla të raportojë në Komision për Integrime.


“Është obligim i tyre, ministrit të Brendshëm, i ministres së Jashtme, Gërvalla, që ftohet tri herë në këtë Komision dhe nuk vjen që t’i takojë anëtarët e Komisionit dhe të flet për objektivat e saj lidhur me procesin integrues. Prandaj, kuptoni këtë si një kërkesë të domosdoshme, që ju si zëvendëskryeministër që përfaqësoni partinë në pushtet, të flisni me përfaqësues të qeverisë e të vijnë ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, sepse ne nuk do të duhej që të bëjmë një lloj ‘mësiti’ tek ju, ngase ata i dinë përgjegjësitë e tyre”, theksoi ajo.

Derisa deputetja Kodra Deliu po ashtu ka thënë se qeveria dhe partia në pushtet nuk po kontribuon për konsensus politik, siç është rasti me formimin e Komisionit hetimor për energjinë elektrike.

“Ju theksuat që është një plan ambicioz dhe dua të besoj që keni një plan të veprimit më konkret për ta përmbushur planin afatshkurtër të zbatimit ët masave për vitin 2022 të MSA-së. I përmendet zgjedhjet dhe konsensusin politik, e para dua të themi që nuk po kontribuoni si Lëvizje Vetëvendosje që ky konsensus të arrihet edhe për çështjet më të rëndësishme, siç është çështja e Komisionit hetimor për energjinë… Ajo çfarë kemi parë gjatë kësaj kohe, është se nuk ka pasur vullnet që të kemi një bashkëpunim e të përkrahen iniciativat tona si opozitë parlamentare pavarësisht faktit që kanë shumicën parlamentare. Dhe kur flisni për miratim të ligjeve pres që të jeni më shumë autokritik për mazhorancën që përfaqësoni, sepse keni gjithë pushtetin që këto ligje të miratohen edhe pa përfshirjen e opozitës”, theksoi Kodra Deliu.

E deputetja Time Kadrijaj ka kritikuar zëvendëskryeministrin Bislimi për mos mbajtjen e premtimit për miratimin e Projektligjit për paga.

“Ne po e presim Ligjin e pagave, ashtu siç keni premtuar për nivelizimin e pagave. Shqetësuese, pse s’po ndodhë një gjë e tillë, për mua po lidhet në aspektin, sepse unë jam mjek, dhe po shoh që kolegët e mi. Kosova investon në mjekë diku 20 vjet dhe ne të gatshëm po i çojmë në vendet perëndimore”, theksoi Kadrijaj.  

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetes Kadrijaj, Bislimi theksoi se agjenda legjislative nuk është orar i autobusëve, por plan i veprimit. Ndërkaq, për ikjen e mjekëve ai thekson se mendon që është normale, sepse edhe nga Gjermania ikin mjekët.

“Agjenda legjislative nuk është orari i autobusëve, që me thënë tash se është parapara me u nis autobusi për Deçan në orën 9:40 dhe është vonuar deri në orën 10:00. Pra, është plan I veprimit dhe që bëhet për të ardhmen”, theksoi ai.

Për implementimin e Planit Kombëtarë të Zbatimit të MSA 2022-2026 është paraparë kostoja në vlerë prej 46 milionë e 11 mijë e 219 euro.

Lexo edhe

Video