Bislimi-Lajçakut: Hapja e Urës së Ibrit duhet të bëhet pa vonesa
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Bislimi dhe Lajçak kanë biseduar për dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Bislimi nënvizoi se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog.

“Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”, thuhet tutje në komunikatë.

https://kosovapress.com/lajcak-ura-e-ibrit-duhet-te-hapet-por-ne-koordinim-me-aleatet

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024