Bislimi krenohet me raportin e KE-së, kritikohet nga opozita

Bislimi krenohet me raportin e KE-së, kritikohet nga opozita

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi është kritikuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu se qeveria i ka shkaktuar dëme vendit.

“Qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar për ujdinë që është bërë për targat. Në cilën formë do të bëni kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Konsideroj që i keni shkaktuar dëme Kosovës, keni shkaktuar situatë ku nuk kemi funksionim të institucioneve në veri të vendit. A ndjeheni fajtor që dështimet që i keni pësuar në dialog kanë bërë që ky proces për herë të parë të ndërlidhet me liberalizimin e vizave”, ka thënë Deliu.

“Zonja Deliu i përmendi tri fjalë që i përsërit vazhdimisht, dështime në dialog, veprime të pamatura, veprime fëmijërore. Sikur ju t’i kishit vetëm çerekun e informacioneve se si është përfaqësuar Kosova deri tash e si është e përfaqësuar para vitit 2022 ju ishit turpëruar me ardh në sallë”, ka thënë Bislimi.

Ndër të tjera Bislimi ka mohuar se çështja e vizave është ndërlidhur me procesin e dialogut.

“Nuk ka pasur kurrfarë ndërlidhje të procesit të liberalizimit të vizave dhe dialogut, kush e thotë këtë dezinformon. Liberalizmi i vizave është lidhur me sistemin ETIAS”, ka thënë Bislimi.

“Për aplikimin për statusin e kandidatit. Është gabim të thuhet a është momenti i duhur apo jo, ne kemi dërguar një ekip prej katër ekspertësh që janë duke qëndruar në Bruksel, kemi përgatitur një dokument të pozicionit politik që ua kemi ndarë vendeve anëtare, jemi në koordinim të ngushtë me presidencën çeke për të caktuar përfundimisht datën”, ka shtuar ai.


Ndërsa për raportin për vendin nga Komisioni Evropian, Bislimi ka thënë se është më i miri ndonjëherë për Kosovën.

“Raporti për vendin 2022 përpiluar nga Komisioni Evrpian thekson qe Kosova ka pasur stabilitet politik, por për zbatim të suksesshëm të reformave stabiliteti politik është alfa dhe omega për sukses të reformave, qeveria stabile në këtë krizë ka mundësuar duke qenë afër qytetarit të kemi sukses në vaksinim gjatë pandemisë, besojmë se kemi pasur sukses në adresimin e pasojave negative që inflacioni ka pasur”.

Ai ka thënë se në raport nuk përmendet fjalia ndikim politik për punësime apo ndërhyrje në administratë e institucione të tjera.

“Çështja e kuorumit ka qenë në media më shumë se që është dashur”, ka shtuar ai.

“Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, raporti konstaton se dialogu vazhdoi gjatë gjithë periudhës raportuese me takime të rregllta mujore të kryenegociatorëve dhe një takim të nivelit dhe një të nivelit të lartë. Siç e dini nga data 23 nëntor kemi hyrë në një fazë të re të diaogut”, ka thënë Bislimi.

Ai ka shtuar se në raport thuhet se Kosova ka vazhduar angazhimin e saj në një sërë nismash të bashkëpunimit regjional, si dhe ka shtuar se thuhet se Kosova mban marrëdhënie të mira bilaterale me shtetet fqinje anëtare të BE-së.

Lexo edhe

Video